Mungesa e prokurores shtyen gjykimin ndaj zyrtarëve të Arkivit Komunal të Prishtinës

Në mungesë të prokurores, ka dështuar seanca gjyqësore ndaj dy zyrtarëve të Arkivit Komunal të Prishtinës, Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi, të cilët akuzohen sipas Prokurorisë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi deklaroi se prokurorja Merrushe Llugiqi para fillimit të seancës ka njoftuar Gjykatën se në të njëjtën ditë dhe kohë, ka të caktuar edhe një shqyrtim tjetër, dhe se e ka të pamundur të marr pjesë në këtë seancë.

Në sallën e gjykimit prezent ishte dëshmitari Momqillo Trojkoviq, ndërsa ka munguar dëshmitari Kolë Rama, për të cilin Gjykata kishte prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Ndryshe dy të akuzuarit në shqyrtimin e kaluar ishin deklaruar të pafajshëm.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 maj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Sipas pretendimeve të prokurorisë i pandehuri Shasivari, gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, dhe kishte pranuar dokumentin e falsifikuar, pa i përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Naim Shasivari, si shef i depos një kopje të kësaj marrëveshje ia kishte dorëzuar palës, tani të ndjerit Mirosllav Joksimoviq, i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt sipas Prokurorisë këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi akuzohet se në pozitën e ndihmës arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me ç`rast , në kërkesën e Zyrës Kadastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Komunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e policisë më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.

Sipas aktakuzës, Nexhmije Krasniqi të njëjtin dokument, marrëveshjen e arondimit, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, Mirosllav Joksimoviq.