Enver Hoxhaj

MPJ Dënon Sulmin Kundër Konsullatës Turke në Prizren

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, duke e cilësuar një akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që janë kundër një shteti demokratik e shumetnik si Kosova.

MPJ përgëzon Policinë e Kosovës për punën profesionale në arrestimin e personave të papërgjegjshëm të cilët e kanë kryer këtë akt të shëmtuar.

Po ashtu, Ministria e Jashtme, përmes një komunikate kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.

“Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka komunikuar me ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrdhënieve miqësore me Turqinë”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Ministria e Jashtme nuk jep detaje se kur ka ndodhur ngjarja të cilën e ka dënuar.