Muhamet Krasniqi, punëtor teknik në shkollen "Mati Logoreci", Prizren

Punësimi që la pas paragjykimet

Frika nga paragjykimet nuk e shtangu dëshirën e Muhamet Krasniqit, person me aftësi të kufizuar, që të punojë në një institucion publik.

Pavarësisht mëdyshjeve të tij se mos nuk do të mund të ofrojë mjaftueshëm sa punonjësit tjerë, droja nuk e ndaloi. Tash e dy vite, nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët “Mati Logoreci” në Prizren, orët i fillojnë dhe mbarojnë me tingëllimën e ziles nga 42 vjeçari.

Aftësia e kufizuar në dorën e djathtë, punëtorin teknik, nuk e ndaloi që të bëjë punën mos edhe më mirë se të tjerët në këtë institucion publik, për pesë herë në javë, e tetë orë në ditë, ashtu si secili punëtor tjetër.

Krasniqit kjo mundësi, punë prej të cilës mban familjen e tij, iu ofrua përmes një procesi të rekrutimit të zhvilluar nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit.

Edhe pse person me aftësi të kufizuara, ai thotë se motivi për të punuar nuk i mungoi asnjëherë. Në fillim, Krasniqi thotë se mendoi se do të paragjykohej në vendin e tij të punës. Madje, për pak sa edhe nuk e ndërpreu punën vetëm disa muaj pasi e fitoi atë.

“Njëherë kam dashtë me lënë punën këtu, jo për ndonjë qëllim, për ndonjë presion, po dilemën e vetme e kam pasur nëse kam me mujtë me kry punën si duhet”– kujton Muhamet Krasniqi.

“M`u doke vetja që po e marrë rrogën si t`u nejtë, po pastaj e pash që ka punë që mund t’i kryej dhe jam aktiv non-stop, tetë orë punë i bëjë…” – thotë Krasniqi në një rrëfim për KALLXO.com.

Ky nuk ishte halli i vetëm që e kishte Muhameti kur nisi punën si teknik në “Mati Logoreci”. Për një kohë, atë e brente mendimi se mos po shihej ndryshe nga kolektivi dhe nxënësit e shkollës.

“Në fillim kam mendu që kam me kalu pak më ndryshe me nxënës e me kolegë, se si po më shohin apo më shohin ndryshe se ne personat me aftësi të kufizuara shihemi me një sy ndryshe. Po, po kaloj shumë mirë, nuk kam mujtë me imagjinu që kam me kalu kaq mirë. Jam befasu prej pritjes së mirë…” – thotë ai.

Rrëfimi i Muhametit

Sa ishte fëmijë, Muhamet Krasniqi kishte humbur njërën dorë dhe ishte dëmtuar në fytyrë pas eksplodimit të një granate. E gjithë ngjarja ndodhi në fshatin Lubizhdë të Prizrenit derisa ai së bashku me shokët ishin duke ruajtur bagëtinë.

Në fillim të viteve të 90-ta, ushtria serbe ishte e vendosur në disa lokacione në rajonin e Prizrenit. Atje, ata kryenin ushtrimet.

“Shokët, që ishim bashkë më thanë “Ti din me fol serbisht, shko te ta lypu diçka me hangër”, se ata hajshin në tenka, bëjshin ushtrime. Shkova me lypë diçka me na dhënë me hangër, si fëmijë kam qenë diku shtatë vjet e gjysmë i kam pas” – thotë Muhamet Krasniqi.

“Pas tre-katër dite jam shku me ju kërku diçka dhe m`i kanë dhënë katër-pesë granata të mbështjella, unë se dita çfarë ka brenda dhe kur e hapa me pa çfarë ka, më eksplodoi bomba dhe ma ka humbë dorën dhe më ka dëmtu edhe në fytyrë” – rrëfen ai.

Tridhjetë e katër vjet më vonë, Muhamet Krasniqi thotë se sigurimi i një vendi të sigurt të punës ishte një sfidë në vetvete. Përgjatë viteve, ai kishte punuar në disa institucione, por kontrata më e gjatë nuk ishte më shumë se gjashtë muaj.

Muhamet Krasniqi, punetor teknik ne shkollen “Mati Logoreci”, Prizren

Punësimi si teknik në Shkollën Fillore “Mati Logoreci” në Prizren i ndihmoi që t`ua paguaj fëmijëve shkollimin.

“Unë jam i kënaqur me punën, me të ardhurat, se unë jam njeri familjar, i kam tre fëmijë e dy janë në fakultet, e një në shkollë të mesme. Kam nevojë për të ardhura, patjetër duhet me punu” – thotë ai.

“Më me qejf punoj sesa me i marrë 100 euro prej shtetit, jam i kënaqur këtu. Po bëhem idare, pak kredi kam marrë për fakultetet të fëmijëve deri sa të kryejnë fakultetin, tani e kemi më lehtë” – deklaron ai.

Dera që u hap

Shkolla “Mati Logoreci” në Prizren është ndër shkollat më të mëdha në këtë qytet, si nga numri i nxënësve, ashtu edhe nga numri i stafit mësimdhënës dhe teknik. Në këtë shkollë mësimi zhvillohet në tri gjuhë, shqip, turqisht dhe në gjuhën boshnjake. Shkolla gjithashtu ka dy asistentë për nxënës me aftësi të kufizuara.

Hilmi Rexha, drejtor i shkollës “Mati Logoreci” në Prizren thotë se institucionet lokale dhe qendrore duhet të krijojnë më shumë mundësi për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ai thotë përvoja me Muhamet Krasniqit duhet të merret shembull për të mirë. 

“Muhameti ka nis punën diku rreth dy muaj para meje këtu në shkollë, ai në korrik i bën dy vite punë dhe ne po kalojmë shumë mirë me të, është kënaqësi me pas Muhametin pjesë të stafit” – thotë Rexha.

“Kam mendu në fillim, në fillim që nuk kanë me pritë mirë, me ju thanë të drejtën. Por, Muhameti ka tregu që krejt paragjykimet rrëzohen me punë. Ai edhe pse nuk e ka një pjesë të dorës, e ka me protezë, pa vështirësi kryen punët e tij” – deklaron drejtori i shkollës.

Përveç punëve rreth kopshtit të shkollës, ziles dhe pastrimit të xhamave, Muhamet Krasniqi ndihmon edhe kolegët e tij në stafin teknik të shkollës.

Legjislacioni mbi të drejtat e njeriut në Kosovë parasheh punësimin e personave me aftësi të kufizuara në institucione publike dhe private në çdo të 50-tin punëtor, një person me aftësi të kufizuara. Shkolla “Mati Logoreci” në Prizren numëron afër 100 punonjës.

“Është mirë çdo institucion me pas të punësuar persona me aftësi të kufizuara. Punësimi i Muhametit ka qenë i mirëseardhur, por është apel edhe sugjerim për institucionet të punësohet kjo kategori sepse si Muhameti pak kush i kryen punët këtu te ne, ai e ka treguar këtë me përkushtim” – thotë drejtori i shkollës për KALLXO.com.

Në gjithë komunën e Prizrenit, në sistemin arsimor numërojnë 10 persona me aftësi të kufizuara të punësuar nga qeverisja lokale.

Luljeta Veselaj, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prizrenit thotë se do të vazhdojnë mbështetjen për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Krasniqi, nga fillimi i punës në shfmu ‘Mati Logoreci’  është pritur shumë mirë dhe të njëjtin e kanë mbështetur në të gjitha format dhe tani i njëjti është një ndër punëtorët më të mirë të stafit teknik, i përgjegjshëm dhe me shumë motiv i kryen detyrat e punës” – thotë ajo.

Vetë Muhamet Krasniqi ka një mesazh për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

“Personat me aftësi të kufizuara duhet me kërku punë non-stop, se kur po na premtojnë në fushata, ne duhet me vazhdu me kërku punën. Qashtu ia kam bë unë se kam familje, kam nevojë, më mirë me i marrë 300 euro se 100 euro” – thotë Krasniqi

“Ju them, shkollohuni, mos u dorëzoni se që nuk dorëzoheni mund të mbërrini gjithçka…” – Krasniqi, i drejtohet secilit që dyshon qoftë edhe pak në vetëvete.

Muhamet Krasniqi, punetor teknik ne shkollen “Mati Logoreci”, Prizren

Një hulumtim disamujor gjatë vitit 2023 i shtrirë në pesë komuna të vendit dhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” gjeti se institucionet publike diskriminojnë grupet e margjinalizura të shoqërisë.

Mbi 20 institucione publike të vendit, janë monitoruar për më shumë se gjashtë muaj për të parë nëse i plotësojnë obligimet ligjore mbi të drejtat e njeriut.

Hulumtimi i KALLXO.com zbuloi se shumica prej tyre nuk ofrojnë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara.

Institucionet, gjithashtu, nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara ashtu siç parasheh ligji e po ashtu ato diskriminojnë gratë në punësim dhe në pozita udhëheqëse. 

Njëra nga gjetjet e hulumtimit tregon gjithashtu se institucionet e monitoruara diskriminojnë personat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Raportin e plotë të hulumtimit mund ta gjeni duke klikuar KËTU.