Motra e viktimës në aksident: Vajza e saj po e kërkon nënën

Me brohoritje “Drejtësi për Florijetën dhe Lenditën” ka filluar protesta e përfaqësuesve të Shoqërisë Civile, kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për  ta dënuar me tre vjet e gjysmë burgim 20-vjeçarin, i cili goditi për vdekje me veturë Florijeta Rugovajn dhe Lindita Abdullahun në “Rrugën B” në Prishtinë

Kësaj proteste i janë bashkangjitur edhe qytetarë të tjerë, ku mbajnë në duar pankarta në të cilat thuhet “Na vratë për së dyti”, “480 euro vjedhje, 7 vite burg” , “Shkel e shko”, “Në rrugë të shkelin, në gjykatë të vrasin për së dyti” dhe të tjera.

Me këtë rast kanë folur motrat e të dy viktimave të vdekura.

Motra e Florijetës, tha se brenga më e madhe për të është fëmija që tani  më ka mbetur jetim.

“Linditën e priste fëmija e saj, e prisnim ne, por vajza e saj po vazhdon ta kërkojë atë, ajo kur të rritet do ta kërkojë nënën e saj, do të pyes se çfarë ka ndodhur me njeriun që e la pa nënë, a ti themi që u lira, çfarë force mbinjerëzore duhet të kesh t’ia thuash këtë një jetimi, t’i thuash se shteti e mbrojti atë dhe shteti e vrau nënë sikurse personi që e shkeli”, tha ajo.

Ndërsa, motra e Linditës tha se derisa viktimat kanë vdekur shteti e la të mbrohet në liri autorin.

“Ne shpresuam që drejtësia do të veprojë, por veprojë padrejtësisht, nuk e dënoi kryesin e veprës por e lejoi të mbrohet në liri, derisa viktimat kanë vdekur, autori është në liri andaj ne kërkojmë drejtësi sepse shpirtrat  e familjarëve tona nuk do të pushojnë të qeta derisa drejtësia të vjen në vend”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se gjykata me vendimin e saj ka bërë shkelje procedurale, duke mos I njoftuar me kohë familjet dhe prokurorin.

“Gjykimi ndodhi, nuk u njoftuam me kohë as prokurori as familjarët, ne kemi marrë njoftimin vetëm 30 minuta para seancës, nuk është mbajtur në seancë gjykimi por në zyre, pa prezencë të prokurorit aktgjykimi u shpallë, duke mos u mjaftuar me këto, e la të mbrohet në liri atë”, shtoi ajo.