Raporti i Odës Ekonomike | Foto: KALLXO.com

Mospranimi Teknik i Punëve Po i Dëmton Financiarisht Ndërtimtarët

Oda Ekonomike e Kosovës publikoi raportin e biznesit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit të ndërtimit për tremujorin e katërt.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gerxhaliu tha se bizneset ballafaqohen me mungesa të stafit të kualifikuar dhe barriera në financa.

“Pjesa dërrmuese e këtij sektori në Kosovë ballafaqohen me mungesë të stafit të kualifikuar, barriera e dytë është konsumatorët nuk paguajnë me kohë, barriera e tretë po ashtu e mendësisë financiare është mjetet financiare të pamjaftueshme, vazhdohet me vështirësi në marrjen e kredive, vazhdohet me koston e punës dhe mbi të gjitha e kemi një hiper-ndërtim dhe ka një mungesë të porosive”, tha Gërxhaliu.

Ai gjithashtu tha se një dukuri e cila rëndon biznesin dhe pamundëson qasjen në financa në veçanti të sektorit të ndërtimtarisë është mospranimi teknik i objekteve.

Gjatë prezantimit u tha se 90 për qind e bizneseve të sektorit të ndërtimit gjendjen aktuale e vlerësojnë si të mirë, ndërsa 10 për qind gjendjen e bizneseve të tyre e vlerësuan të pafavorshme.

40 për qind e bizneseve e pranojnë se të punësuarit e tyre kanë një diplomë. 53.60 për qind e bizneseve thonë se disa prej tyre kanë diploma dhe 5,60 për qind e bizneseve thonë se nuk kanë diploma për punë të kryera.

Në sektorin e ndërtimtarisë 67.70 për qind të kompanive deklarohen që të punësuarit nuk kanë qenë pjesë e asnjë trajnimi.

Gjithashtu u përmend edhe bashkëpunimi i kompanive të ndërtimit me shkollat profesionale, ku 67.40 për qind e kompanive e vlerësojnë si shumë të dobët, ndërsa vetëm 20 për qind e bizneseve e kanë një vlerësim të mirë për këtë çështje.

Valon Vataj nga kompania “KaWa” duke folur për sigurinë e punëtorëve tha se kjo gjë duhet të mbikëqyret.

“Ne kemi menduar që të marrim edhe iniciativë për të mbikëqyrur sigurinë e punëtorëve”, tha Vataj.

Vdekjet në vendin e punës në Kosovë kanë shënuar rritje.

http://kallxo.com/kmdlnj-9-punetore-te-vdekur-ne-vendin-e-punes/