Shpallja e akgjykimit ndaj të akuzuarve Arben Bashota, Sylejman dhe Osman Bajrami - FOTO KALLXO - 06.05.2019

Momenti kur shokët e Ruzhdi Shaqirit dënohen me burg

Arben Bashota dhe dy të akuzuarit Sylejman dhe Osman Bajrami, shpallen fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Të akuzuarit Shpallen fajtor për veprën penale detyrimi.

Arben Bashota dënohet me 6 vite burgim, si dhe i caktohet  menjëherë masa e paraburgimit.

Osman Bajramit 4 vite e 6 muaj burgim. Ndërsa Sylejman Bajrami 3 vite burgim.

Kryetari i trupit gjykues tha se Konfiskohet në mënyrë të përhershme vetura e Arben Bashotës, dhe vetura e Osman Bajramit, ndërsa nga Sylejman Bajrami konfiskohet shuma prej 10 mije euro.

Kurse të dëmtuarit dhe AKP-ja, për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest juridiko civil.

Të dënuarit janë obliguar qe secili veç e veç t`i paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 500 euro.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin, i njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarit Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

 

Sipas Prokurorisë, Murat Tërnava pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”. Sipas Prokurorisë, vlera e përgjithshme e objekteve të ndërtuara në pronën kontestuese nga të dëmtuarit është më shumë se 5 milionë euro.

E kujt është prona 10 hektarëshe ?

Pronësia mbi pronën 10 hektarëshe është elementi kyç që Prokuroria ka ngritur aktakuzën ndaj Arben Bashotës dhe vëllezërve Bajrami. Viti 2004 shënon fillimin e presioneve të të akuzuarve ndaj të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, Arben Bashota kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale të Prishtinës të datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit prona e kontestuar i ishte kthyer në pronësi private personit të quajtur Marko Mitroviq.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Arben Bashota po ashtu me një autorizim të falsifikuar pretendon se është i autorizuari i Mitroviqit që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën. Prokuroria pretendon se pikërisht duke u thirrur në këto autorizime Bashota kërkon nga Drejtoria e Kadastrës që të bëjë regjistrimin e këtyre ndryshimeve të pronësisë.

Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Kadastrës në mars të vitit 2004 vihet në lajthitje dhe në bazë të kërkesës së Bashotës merr aktvendim me të cilin e vërteton atë çështje dhe disa ditë më pas lëshon edhe fletën poseduese për këtë pronë.

Për të vërtetuar pretendimin e saj Prokuroria përmend se ndaj Mitroviqit është zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2006.Pikërisht, Mitroviq sipas aktakuzës së prokurores Bina-Rugova, me anë të 6 kontratave të shitblerjes i ka shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit me këto dokumente kanë insistuar te të dëmtuarit që t’u lirohen pronat, duke u paraqitur vazhdimisht në atë tokë dhe duke pohuar se është e tyre.

Viti 2007 sipas Prokurorisë shënon edhe fillimin e kërcënimeve serioze nga të pandehurit drejt të dëmtuarve ashtu që ndodhin disa incidente, siç ishte rasti i marsit 2008 kur Osman e Sylejman Bajrami dhe Ruzhdi Shaqiri paraqiten me ekskavator dhe fillojnë të groposin në pronë.

Të njëjtën ditë sipas Prokurorisë në një lokal në Prishtinë, Ruzhdi Shaqiri, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Ismet Osmani dhe Hysen Shahini dhe nga ky rast kishin mbetur të plagosur 13 persona.

Sipas Prokurorisë, Mitroviq në vitin 2012 lirohet përfundimisht nga akuza dhe kjo shënon edhe një ngjarje tjetër të rëndësishme për këtë lëndë.

Prokuroria pretendon se Arben Bashota duke përdorur kërcënimin serioz kundër zyrtarëve të Drejtorisë së.

Kadastrës arrin që më 10 maj 2012 të hiqet masa e sigurisë, ndalesa e tjetërsimit dhe aprovohen kërkesat për bartje të kësaj prone dhe të regjistrohen në emrat e gjashtë personave të cilët kinse i kanë blerë këto prona tashmë të parcelizuara nga Marko Mitroviq në mars të vitit 2004.

Aktakuza pretendon se vetëm disa ditë pasi që ka ndodhur kjo, në objektet e të dëmtuarit Murat Tërnava kanë shkuar të pandehurit Arben Bashota, Sylejman Bajrami dhe Osman Bajrami dhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri dhe këta dy të fundit me revole në dorë kanë kërkuar nga të pranishmit që t’i lironin objektet.

Për më tepër sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin lënë edhe një “njoftim” që kërkonte që uzurpatorët të lironin objektet.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, presioni ishte intensifikuar dhe të pandehurit të dëmtuarve u kishin lënë edhe një ultimatum ku thuhej se “ose t’i lirojnë objektet ose do të vijë deri tek më e keqja”.

Prokuroria pretendon se si pasojë e presionit në Durrës kishte ndodhur një takim mes të dëmtuarit Murat Tërnava dhe Ruzhdi Shaqirit, i cili fliste në emër të Arben Bashotës dhe Osman Bajramit dhe nga ky takim është vendosur që Murat Tërnavës t’i lejohej të shfrytëzohej vetëm njëri prej objekteve për biznesin e tij familjar dhe se për këtë ai do të paguante çdo muaj shumën prej 6,350 euro.

Prokuroria më tej në aktakuzë përshkruan se si pasi kishte bërë një denoncim në polici, i dëmtuari Murat Tërnava ishte detyruar nga persona të paidentifikuar e të armatosur ta tërhiqte këtë denoncim.

Kjo ka ndodhur në kohën kur djali i tij po mbahej peng.