Arkiv - Rast i shënjestruar - Gjykimi për krim të organizuar

Gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar me pronat në Fushë Kosovë

Arben Bashota dhe vëllezërit Bajrami, të cilët akuzohen për krim të organizuar, janë paraqitur në seancën gjyqësore, ku është bërë administrimi i provave dhe është dëgjuar dëshmitari i rastit.

Në gjykimet e mëparshme trupi gjykues është përbërë nga kryetari Kujtim Krasniqi, anëtarët Suzana Çerkini dhe Ngadhënjim Arrni.

Në këtë shqyrtim është bërë ndërrimi i trupit gjykues dhe tani anëtar është gjyqtari Lutfi Shala, në vend të gjyqtarit Ngadhënjim Arrnit.

Meqenëse është ndërruar trupi gjykues, shqyrtimi filloi rishtas.

Është paraparë që të dëgjohen dëshmitarët: M. T., K. T., H. S., A. H., I. O., A. A., mirëpo me aktvendim të gjyqtarit Kujtim Krasniqi, i cili vendosi që dëshmitë e tyre do të mbrohen deri në fund të procesit gjyqësor.

Seanca e radhës u caktua me datë 26 prill.

Në lidhje me këtë vepër Arben Bashota në vitin 2019 ishte dënuar me 6 vite burgim. Bashkë me të fajtor ishin shpallur edhe Osman dhe Sylejman Bajrami të cilët ishin dënuar me 7 vite e gjysmë së bashku.

Në kohën kur ishte shpallur aktgjykimi trupi gjykues e kishte ndryshuar veprën penale nga krim i organizuar në bashkim kriminal.

Pas ankesave nga palët për shkeljet eventuale  rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Speciale, në aktakuzën e datës së 8 gushtit 2016, të akuzuarit e lartcekur së bashku me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona të tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare i akuzon se kanë kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Kujtojmë se në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, mirëpo ai ishte vrarë në vitin 2014 në Skenderaj, për të cilin rast akuzohet Gani Geci, i cili në vitin 2016 ishte dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, mirëpo Gjykata e Apelit, këtë rast e ka kthyer në rigjykim.