Mogherini Flet Pas Takimit Mustafa- Vuçiq

Pas takimit në nivel kryeministrash në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini tha që dialogu u zhvillua në një atmosfere shumë të mirë.

Sipas saj, marrëveshjet e arritura duhet të implementohen, ndër to edhe ajo e Asociacionit.

Siç thuhet në deklaratën e Mogherinit, në takimin e sotëm është folur për marrëveshjet për njohjen e diplomave, atë për lëvizjen e lirë si dhe për ato të arritura në gusht të vitit të kaluar.

“Sot është konfirmuar se pranimi i dyanshëm i diplomave arsimore dhe profesionale dhe certifikatave po bëhet realitet”, tha Mogherini duke shtuar se mbi këtë bazë studentët do të jenë në gjendje t’i vazhdojnë studimet dhe profesionistët do të mund t’i përmirësojnë mundësitë e tyre të punësimit.

Diplomatja evropiane tha se në takimin e sotëm gjithashtu ka pasur avancim të marrëveshjes për lëvizje të lirë sidomos në çështje të tabelave të regjistrimit të veturave.

Por Mogherini nuk ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila muajin e kaluar doli me qëndrim se marrëveshja për Asociacionin e Komunave të Kosovës, në disa pika të saj, përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Diskutimet për më tepër u fokusuan edhe në përkushtimin e të dy palëve për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara”, tha ajo.

Pritet që palët të nisin diskutimin për lidhjet direke ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.

Mogherini falënderoi dy kryeministrat për përkushtimin e tyre në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“BE do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më sot dhe progresin e mëtutjem për normalizim”, tha Mogherini pas takimit.