Foto: Kallxo.com

Misteri i shprehjes së pakuptimtë që shtyu seancën për lajthitje të komunës

Një e akuzuar për mashtrim u shpreh se nuk ndihet fajtore në akuzën e prokurorisë gjatë një seance që u mbajt sot në Gjykatën e Lipjanit.

Zejnepe Buzhalës nga Drenasi po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për legalizim të përmbajtjes së rremë. Ajo po akuzohet se vuri në lajthitje Komunën e Drenasit lidhur me një dokument, për të cilin prokuroria pretendon se do t’i shërbente asaj për një çështje gjyqësore.

Në seancën e sotme mbrojtja paraqiti kundërshtimet në raport me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria.

Kur u pyet nga ana e gjykatësit Selman Salihu lidhur me fajësinë ajo deklaroi se ndihet e pafajshme.

“Nuk e ndjej vetën fajtore. Asnjëherë dhe nuk e pranoj fajësinë”, deklaroi Buzhala.

Por gjyqtari në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, konstatoi se në shkresat e lëndës gjendet kontrata origjinale mbi shfrytëzimin e banesës ku dhe ekziston fjala “Të Perk”.

Mirëpo mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ibrahim Dobruna, kërkoi nga gjyqtari ta shikojë atë kontratë dhe t’i bëhet një kopje, pasi që deklaroi se në dosjen e tij nuk e posedon atë.

Për shkak të kësaj situate, avokati Dobruna i propozoi gjykatësit që seanca të shtyhej për një datë tjetër për arsye që të ketë hapësirë për mbledhjen e provave.

Lidhur me kundërshtimin e aktakuzës nga pala mbrojtëse, prokurorja e shtetit Fatmire Caca deklaroi se mbetet prapa deklarimeve të dhëna nga prokurori paraprak Blerim Igrishta.

Kurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati e kundërshtoi propozimin për shtyrje të seancës gjyqësore.

Pavarësisht kundërshtimit të Kastratit, gjykatësi Selman Salihu e aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës dhe e shtyu seancën për 21 nëntor, duke i dhënë hapësirë mbrojtjes për mbledhje të provave.

Sipas aktakuzës, Zejnepe Buzhala më 2 shtator të vitit 2012 ka vënë në lajthim organin kompetent të Komunës së Drenasit që në regjistër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore. Aktakuza thotë se ajo ka vërtetuar kontratat mbi shfrytëzimin e banesës, ku në paragrafin e parë të kësaj kontrate nuk ekziston fjalia “Të Perk”, e cila ekziston në kontratën e marrë nga zyrtari i Komunës së Drenasit.

Në deklaratën e saj në prokurori e polici gjatë fazës së hetimeve, Zejnepe Buzhala e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

https://kallxo.com/del-para-gjyqit-zejnepe-buzhala-e-akuzuar-se-vuri-ne-lajthitje-komunen-e-drenasit/