Objekti i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit miraton bursat për nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor

Ministria e Arsimit ka miratuar kërkesën e nxënësve të Gjimnazit të Specializuar Matematikor, për marrë bursa.

Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, drejtori i këtij gjimnazi Shemsi Berisha. Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se ende vendimin zyrtar dhe me shkrim nuk e ka pranuar nga Ministria, por vetëm gojarisht nëpërmjet telefonit e ka pranuar vendimin e Ministrisë.

‘’Po është marrë vendimi për dhënien e bursave, por shkrimin zyrtar të vendimit ende nuk e kam marrë. Bëhet fjalë per bursat e këtij viti, ku do të marrin të gjithë nxënësit e shkollës nga 50 euro dhe janë 124 nxënës gjithsej’’, tha Berisha.

Ai tregoi edhe për kërkesën e tij drejtuar MASHT-it, që bursat të jenë në mënyrë konstante e jo që nxënësit t’i kërkojnë ato për çdo vit.

‘’Sa i përket kërkesës time që këto bursa të bëhen për çdo vit dhe pa pasur nevojë që nxënësit t’i kërkojnë ato çdo herë. Këtë vit do të përfitojnë të gjithë nxënësit, ndërsa vitin e ardhshëm mundet me ndodhë që vetëm nxënësit shembullorë t’i përfitojnë bursat’’, ka përfunduar Berisha.

Nxënësit e këtij gjimnazi të hënën e kaluar kishin dalë para MASHT-it për të protestuar për kërkesat e tyre për bursat.

https://kallxo.com/nxenesit-e-gjimnazit-te-specializuar-matematikor-protestojne-per-bursa/