Ministri: Trajtimi i të Sëmurëve me Kancer, Shërbim 20 Orësh

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha të premten se që nga nesër do të fillojë ofrimi i shërbimeve 24-orëshe, në shtatë ditë të javës, për të sëmurët nga kanceri, në Klinikën e Onkologjisë.

Gjatë një vizite në këtë Klinikë, Ismaili ka falënderuar personelin mjekësor të cilët, sipas tij, përveç punës së jashtëzakonshme deri më sot, janë mobilizuar që të ofrojnë këto shërbime shumë të nevojshme për qytetarët tanë.

“Është obligim i imi si ministër, por edhe i personelit mjekësor, që të jemi afër qytetarëve tanë në momentet kur ata kanë nevojë. Së bashku, do ta dërgojmë deri në fund misionin për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi”, është shprehur Ismaili.

Me 31 janar Ismaili kishte bërë një njoftim të tillë edhe për Kardiokirurgjinë dhe Kardiologjinë Invazive ku do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës, që nga java e ardhshme.