Uran Ismaili: Kemi marrë sinjale që ka pasur tentime për të bërë pagesa në xhirollogari ruse

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka folur në lidhje me dyshimet për përfshirjen në një skandal financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Sipas Ismailit, përveç dyshimeve që tashmë janë bërë publike nga gazeta sllovene, ekzistojnë informacione se është tentuar të kryhen pagesa edhe në xhirollogari ruse.

“Kemi marrë sinjale që ka pasur tentime edhe për të bërë pagesa për xhirollogari ruse. Ne nuk e dimë, për shkak se nuk jemi brenda institucioneve dhe ajo çka duam të dimë është e vërteta”, ka deklaruar Ismaili në konferencë për media duke mos dhënë më shumë informacione.

PDK sot përmes një konference për media ka bërë thirrje tek krerët e institucioneve që ta shkarkojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas raportimeve se ai dyshohet që është përfshirë në një skandal financiar.

PDK po ashtu ka bërë thirrje edhe njëherë tek deputetët e pozitës që ta votojnë themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të hetonte gjithë krizën energjetike në Kosovë.

Të enjten, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluan si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.
Berishaj, supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Reagon ambasadori Berishaj pas raportimit të medias sllovene