Ministri Abelard Tahiri dhe homologia e tij gjermane, Katarina Barley - Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri Tahiri kërkon mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave

Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është takuar me homologen gjermane, Katarina Barley.

Sipas një njoftimi të Ministrisë, gjatë këtij takimi ministri Tahiri e ka njoftuar ministren gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve me angazhimin e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, reformat në drejtësinë penale, kodifikimin e të drejtës civile, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar si dhe për reformën strukturore të sektorit të sundimit të ligjit.

Ministri Tahiri ka shprehur konsideratën e lartë për kontributin që Gjermania ka dhënë në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe  mbështetjen e dhënë për procesin e liberalizimit të vizave.

Në këtë kuadër, sipas njoftimit, ministri Tahiri ka kërkuar mbështetje edhe në fuqizimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore përmes akreditimit të programeve dhe trajnimit të punonjësve mjekoligjor në fusha specifike si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale përmes një programi të veçantë të trajnimit për organet e sundimit të ligjit në çështjet që ndërlidhen me efikasitetin e shërbimeve gjyqësore ndaj sektorit të biznesit.

Ndërsa, thuhet në komunikatë, ministrja federale ka mirëpritur angazhimin institucional në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të Gjermanisë për proceset e reformave të ndërmarra.