Ministri Valdrin Lluka në gjyq - Foto: KALLXO.com

Ministri Lluka Deklarohet Rreth Fajësisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe Eliana Naka, të akuzuar për konflikt të interesit, janë deklaruar rreth fajësisë lidhur me aktakuzën.

Dy të pandehurit thanë në Gjykatën e Prishtinës se nuk ndihen fajtorë për veprën që u vihet në barrë.

Pas deklarimit lidhur me fajësinë seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve.

Pas tri seancave që dështuan të mbahen për arsye të ndryshme, sot po vazhdon gjykimi ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Dy seancat e fundit të parapara të mbahen më 18 tetor dhe 12 dhjetor kanë dështuar të mbahen për shkak të mungesës së të akuzuarës Eliana Naka.

Ministri Lluka dhe e Eliana Naka po akuzohen për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas aktakuzës, tani ministri Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014 ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Për konflikt të interesit në këtë rast akuzohet edhe Eliana Naka e cila sipas aktakuzës, si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e bordit.