Konflikti i mundshëm i interesit për dy anëtarë, pezullohet vendimi për emërimin e komisionit për ristrukturim në Postën e Kosovës

Një vendim i prillit i nënshkruar nga Kryshefja e “Postës së Kosovës”, Fakete Kadiu është pezulluar deri sa të pranohet një opinion në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit për dy anëtarë të komisionit.

Komisioni për ristrukturim të punëtorëve në “Postën e Kosovës” përbëhet nga shtatë anëtarë gjithsej.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe “Posta e Kosovës” në disa përgjigje.

Në krye të komisionit do të jetë Naser Krasniqi si kryetar, ndërsa Vlora Shabani, Shpëtim Dobra, Faton Ejupi, Rafet Jashari, Saranda Ademi dhe Visar Jonuzi do të jenë anëtarë të komisionit.

“Vendimi i emërimit të Komisionit për Ristrukturim, përkohësisht është i pezulluar, deri në marrjen e opinionit nga organi kompetent, lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit të dy anëtarëve”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës për KALLXO.com.

Sipas Postës së Kosovës, deri te vendimi për formimin e komisionit qendror të ristrukturimit të punëtorëve ka ardhur gjendja e rëndë e ndërmsrrjes.

“Për shkak të gjendjes së vështirë të ndërmarrjes, me qëllim të ngritjes së performances operacionale në ofrim të shërbimeve, si dhe sigurimin e likuiditetit të ndërmarrjes. Bordi i Drejtorëve ka marr Vendim që ndërmarrja publike Posta e Kosovës t’i nënshtrohet ristrukturimit”, thuhet në përgjigjet e Postës drejtuar KALLXO.com.

Tutje sipas Postës, roli i këtij komisioni është të hartoj raport rekomandues i cili fillimisht do të shqyrtohet nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe pastaj do të dërgohet për shqyrtim të Bordit të Drejtorëve.

Në raport rekomandues duhet të përfshihen propozimet për:

Strukturën e re organizative,

Numrin e Drejtorive;

Numrin e departamenteve dhe pozitave të punës pas ristrukturimit;

Numrin e ekzekutuesve për secilën pozitë, me arsyetim se si është vlerësuar ky numër;

Numrin e punonjësve të cilësuar si tepricë me pozitat e tyre, me arsyetim përkatës përse janë cilësuar si tepricë;

Arsyeshmërinë e detajuar përse një pozitë ka mbetur ndërsa tjetra është shuar;

Numrin e pozitave ku ka ekzekutues më pak, se sa janë duke punuar aktualisht;

Fuzionimet eventuale të pozitave dhe detyrave të punës me arsyetim përkatës;

Efektin financiar dhe operacional të ristrukturimit.

Sipas “Postës se Kosovës”, Komisioni ka të drejt të formoj edhe nën komisione në interes të profesionalizmit dhe ecurisë së procesit.

KALLXO.com raportoi në lidhje me vendimin që ishte nënshkruar nga Kryshefja Kadiu, për formimin e komisionit qendror për ristrukturim të punëtorëve të Postës së Kosovës.

Nënshkruhet vendimi për formimin e komisionit qendror për ristrukturim të punëtorëve në “Postën e Kosovës”