Skandali në drejtësi: Gjykatësi trajtoi ankesën e gruas së tij

Hashim Çollaku, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, vitin e kaluar kishte vendosur që të aprovojë një kërkesë të gruas së tij, Myrvete Çollakut, dhe të rriste dënimin për një person i cili po akuzohej për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.

Gjyqtari Çollaku nuk e ka përjashtuar veten me rastin e vendosjes në lidhje me ankesën e gruas së tij në çështje penale ndonëse një gjë e tillë kërkohet me Kodin e Procedurës Penale.

Avokatja Myrvete Çollaku kishte kërkuar që të rritej dënimi i një personi i cili po akuzohej për lëndim të lehtë trupor e kanosje. Në kolegjin penal, i cili kishte vendosur që të rriste dënimin e të akuzuarit, kishte marrë pjesë edhe burri i saj, gjyqtari Hashim Çollaku.

Hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime” jep detaje se si kishte ndodhur ngjarja ani pse edhe avokatja edhe gjyqtari Çollaku kanë refuzuar të flasin në detaje për këtë çështje ndërsa njëri ka deklaruar se është gabim e tjetri se shkeljet ishin eliminuar pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Si ndodhi ngjarja?

Në shtator të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte marrë vendim që ta dënojë me 500 euro gjobë të akuzuarin Xh.K. për veprat penale – lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Ndaj këtij vendimi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit Myrvete Çollaku, avokatja e palës së dëmtuar në këtë rast.

Sipas avokates Çollaku vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit kishte shkaktuar pasiguri te klientja e saj për shkakun se një dënim i vogël që ishte shqiptuar mund t’i jepte hapësirë të akuzuarit të ndërmarrë masa të tjera ndaj të dëmtuarës.

Këtë ankesë e kishte aprovuar Gjykata e Apelit ndërsa kolegji penal i cili kishte vendosur pro ankesës së Myrvete Çollakut ishte i përbërë nga Hashim Çollaku, kryetari i kolegjit dhe bashkëshorti i avokates, si dhe dy anëtarët e tjerë Zyhdi Haziri dhe Ferit Osmani.

Vendimi i datës 1 shkurt 2021 i Gjykatës së Apelit aprovonte ankesën e avokates Çollaku me ç’rast i kishin ndryshuar vendimin e Gjykatës së Prizrenit duke i rritur dënimin të akuzuarit nga 500 euro në 1 mijë euro.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës ishin njoftuar edhe palët në procedurë por për shkak që avokati i palës së dënuar Ethem Rogova nuk kishte marrë pjesë në seancën kur ishte vendosur dënimi për klientin e tij nuk e kishte hasur fillimisht këtë shkelje.

Avokati Rogova pretendon se në gjykatat e Kosovës mund të ndodhë çdo gjë ndërsa shton se nuk njoftohen paraprakisht se cili trup gjykues apo kolegj penal mund të trajtojë rastet e klientëve të tyre.

“Nëse do të kishim marrë pjesë në gjykim kur mbahet sipas ankesës dhe do të kishim njohuri për kolegjin me siguri që do të kishim reaguar por nuk kemi marrë pjesë në gjykimin gjatë vendosjes kështu që nuk e kemi ditur kush janë anëtarët e kolegjit dhe nuk kemi mujtë me reagu në atë moment”, shpjegon avokati i të dënuarit.

Ai tutje shton se lënda ka përfunduar me vendim të Gjykatës Supreme derisa pretendon se është shkelur Kodi Penal.

“Kodi është i qartë, nuk ka nevojë me u ndryshu po me u zbatu ashtu siç është. Nuk mundet në dy nivele me vendos familjarët për një çështje. Mundet me qenë kolegji shumë i drejtë ku ka marrë pjesë bashkëshorti por gjithmonë mund të lë dyshime se si është vendosur në këtë rast”, pretendon avokati.

Tutje ai thotë edhe se për raste të ngjashme nuk ka sanksione për gjyqtarët.

“Prej fillimit, pas luftës deri më sot nuk kemi asnjë rast që ndonjë gjykatës është shkarku për ndonjë gabim, pra nuk është e mundur që nuk ka pasur asi gabime që dikush me u shkarku”, pretendon tutje avokati.

Në anën tjetër ai shpjegon edhe se në raste të tilla gjyqtarët e dinë se me çfarë lëndësh kanë të bëjnë.

“Është çështje etike, se vetë duhet të tërhiqej, pse s’ ka ndodh kjo unë nuk mund ta dijë, bashkëshorti që ka marrë pjesë aty me siguri e ka parë, jam i bindur se e ka parë që bashkëshortja është avokatja sepse rasti është vendos në bazë të ankesës”, tregon Rogova.

Për vendimin e Gjykatës së Apelit dhe mundësinë e konfliktit të interesit në trajtimin e këtij rasti kishin ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Prokuroria e Shtetit.

Fatos Ajvazi, prokurori që kishte ngritur aktakuzën ndaj të dënuarit tashmë, kishte vërejtur se ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që në vendim kishte marrë pjesë gjyqtari Hashim Çollaku – bashkëshorti i avokates Myrvete Çollaku.

“Gjyqtari Çollaku posa ka mësuar se ekziston arsyeja për përjashtim është dashur që të përjashtohet dhe mos të jetë pjesë e këtij kolegji penal në shqyrtimin e kësaj çështje penale”, thuhet në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Kodi i Procedurës Penale më saktësisht neni 39 tregon për bazat kur përjashtohet gjyqtari nga trajtimi i një rasti.

Në këtë nen përcaktohet edhe se përjashtimi i gjyqtarit në raste të njëjta bëhet kur palë në procedurë është edhe bashkëshortja apo ndonjë person tjetër i cili ka lidhje familjare deri në shkallën e katërt.

Prokurori Fatos Ajvazi  për KALLXO.com kishte shpjeguar se si kishte vërejtur këtë shkelje nga ana e gjyqtarit Hashim Çollaku.

Fatos Ajvazi – Foto: KALLXO.com

“Ne si Prokurori kemi pasur në disponim vendimin dhe në momentin që kemi analizuar një vendim të tillë kemi dyshuar që njëri nga anëtarët e kolegjit ka pasur rrethana që të kërkojë përjashtimin dhe mbi bazën e kësaj ne si Prokurori kemi parashtru propozim në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, tregon prokurori Ajvazi.

Ai shton se Gjykata Supreme kishte aprovuar kërkesën dhe kishte vendosur që rasti të kthehej në rivendosje në Gjykatën e Apelit për shkak se ishin konstatuar shkeljet që ishin bërë.

Në lidhje me të gjitha pretendimet që janë trajtuar në hulumtimin e KALLXO.com është kontaktuar edhe avokatja Myrvete Çollaku por edhe gjyqtari Hashim Çollaku.

Të njëjtit kanë refuzuar që të flasin para kamerës për të njëjtën çështje ndërsa njëri pretendon se ka ngritur çështjen në instancat e duhura e gjyqtari thotë se është bërë një gabim.

“Çështja e ngritur përkitazi me lëndën ku ju shkruani, është e vërtetë që ka shkuar gabimisht, por jo me qëllim. Ajo lëndë ka qenë e gjyqtarit tjetër ku është i dyti në radhë, por ato gabime me mjet të jashtëzakonshëm, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë është anuluar, dhe është vendosur prapë në Gjykatën e Apelit. Ju bëj me dije se kjo është e tëra nga ajo që unë kam të them, e bërë me shkrim. Sa i përket kërkesave të tjera nuk mund t’i realizoj, ngase nuk jam figurë mediale”, ka thënë gjyqtari Hashim Çollaku në një përgjigje me email për KALLXO.com.

“Me këtë rast po ju lajmërohem me përgjigje konkrete, vendosja e Gjykatës Supreme i ka tejkaluar pengesat për këtë anomali. Kam reaguar në kohë, ka pasur kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë kjo çështje është res judicata. Të gjithë obligohemi të respektojmë vendosjen e Gjykatës Supreme”, ka thënë shkurt avokatja Myrvete Çollaku.

Ekipi i KALLXO.com ka tentuar që të takohet me avokaten Çollaku edhe në zyrën e saj në Prizren por e njëjta nuk ka qenë aty dhe nuk i është përgjigjur telefonatave të ekipit.

Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës ka kërkuar që rasti i dënimit të qytetarit nga Prizreni të rivendoset në Gjykatë të Apelit.

Këta të fundit përveç kolegjit penal që kanë ndërruar në pjesën e vendimit nuk kanë ndryshuar asgjë, pra i akuzuari është dënuar me 1 mijë euro për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.

Për këtë çështje avokati Ethem Rogova thotë se kanë bërë ankesë por që e njëjta është refuzuar.