Foto: Kallxo.com

Anëtari i bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore në konflikt të mundshëm të interesit

Mos-pajtimet rreth projektit të ndërtimeve në vlerë 120 milionë euro kanë quar në shkarkimin dhe më pas emërimin e bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore të komunës së Prishtinës.

KALLXO.com ka gjetur se njëri nga anëtarët e bordit të NPB-së i emëruar së fundmi, Luftar Braha ka qenë i punësuar si konsulent në ndërmarrjen Publike Banesore deri muajin e kaluar.

E kjo, sipas njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që funksionon në kuadër të ministrisë së Ekonomisë, është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Shkarkimi i ish-anëtarëve të bordit të NPB-së dhe emërimi i bordit të përkohshëm në të cilin është edhe Luftar Braha, është bërë nga dy aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Luftar Braha e ka pranuar se ka qenë konsultent në NPB deri muajin e kaluar.

“Kam qenë konsulent i menaxheres së projektit të NPB-së, Anita Cacaj, për projektin e implementimit të ‘IRP’ të cilën si kontratë të implementimit e ka PBC-ja. Kam qenë konsulent i NPB-së. Kam punuar prej fundit të vitit 2020 deri në muajin e kaluar”, ka thënë Braha.

Ai ka thënë se është paguar nga NPB-ja, por që për më tepër ka kërkuar t’i drejtohemi Ndërmarrjes.

“Po pagën e kam marrë prej NPB-së, zyre të veçantë nuk kam pasur, por që kam qenë në ambiente të përbashkëta me të tjerët”, ka thënë Braha përmes telefonit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me njërin nga tre aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i Komisionit të Aksionarëve, Genc Sherifi, për KALLXO.com ka thënë se nuk ka njohuri nëse Braha ka punuar më herët në NPB.

“Unë nuk e di që ka punuar në NPB, ndoshta ka mujt me qenë konsulent i jashtëm. Nuk kam njohuri rreth detajeve”, ka thënë ai përmes telefonit.

KALLXO.com ka kërkuar një interpretim nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), nëse emërimi i Brahës është konflikt interesi. AKK-ja nëpërmjet një njoftimi me shkrim, ka bërë të ditur se ka filluar trajtimi i rastit nga kjo Agjenci.

Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar informata nga Ndërmarrja Publike Banesore për kohën dhe pozitën që ka punuar Braha në NPB, por deri në publikimin e këtij shkrimi, Ndërmarrja nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Besim Imerin. Ai ka thënë se rasti i emërimit të Brahës në bordin e NPB-së adresohet nga Ligji për Ndërmarrje publike.

“Pa hyrë në kushtet specifike të kontratës së punës te Zoteri Brahes ( punësim te rregullt apo kontraktual në formë të konsulences), çështja të cilën e keni ngritur ju adresohet nga Ligji Bazë për Ndërmarrje publike, pra Ligjit 03/L-087”, ka thënë Imeri për KALLXO.com.

Ai ka thënë se neni 17.2 i Ligjit për NP nuk lejon angazhimin e zyrtarëve të Ndërmarrjes që më herët kanë qenë në marrëdhënie pune (pika a dhe b) apo që kanë qenë të angazhuar në një formë tjetër që nënkupton marrëdhënie materiale afariste (pika c).

“Në çfarëdo variante të marrëdhënies së punës, duhet të kalojnë së paku tre vite ( për punonjës të nivelit të lartë duhet 5)  para se një  ish punonjës apo kontraktor i Ndërmarrjes të ketë të drejtën e emërimin në Bordin e drejtorëve të së njëjtës Ndërmarrjeje Publike ku ka qene i angazhuar më herët”, ka thënë drejtorin e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Besim Imerin.

Neni 17.2 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike thotë se “një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse… aktualisht është zyrtar ose menaxher i NP-së përkatëse ose cilësdo nga filialet e saj, ose ka shërbyer si zyrtar ose menaxher i NP-së përkatëse ose cilësdo nga filialet e saj brenda 5 viteve të kaluara”.

Kurse pika (c) e nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrje Publike thotë se një person nuk mundet të emërohet drejtor në bordin e një ndërmarrje publike nëse “aktualisht ka, ose gjatë tri viteve të kaluara ka pasur, çfarëdo marrëdhënie materiale afariste, përveç si konsumator individual i shërbimeve të NP-së, me NP-në përkatëse ose cilëndo nga filialet e saj, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë”.

Ndërsa pika (l), flet për çfarëdo konflikti të interesave për nga natyra në përgjithësi.

“… ka çfarëdo konflikti të interesave që për nga natyra, do të shkaktonte që ky person të mos jetë në gjendje që në mënyrë rutinore, me besnikëri, në mënyrë të pavarur dhe objektive t’i përmbushë detyrat e tij fiuciare ndaj Aksionarëve të NP-së”, thuhet në pikën l të nenit 17, të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

Për Luftar Brahen, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi ka thënë se ka lidhje familjare me Përparim Ramën.

KALLXO.com ka kontaktuar me Brahën për të konfirmuar lidhjen e tij me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, por kishte thënë se në NPB është propozuar nga një person tjetër, të cilin nuk e ka bërë publikë.

Shkarkimi i ish-anëtarëve të bordit të NPB-së dhe emërimi i bordit të përkohshëm në të cilin është edhe Luftar Braha, është bërë për shkak të mos-pajtimeve rreth projektit në vlerë 120 milionë euro të ndërtimeve rreth së cilit janë ngrit dyshime për shkelje.

Bordi i përkohshëm është emëruar pasi bordi i zgjedhur me asistencë të ekspertëve britanikë ishte shkarkuar pasi ata kishin humbur besimin dhe e kishin shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Hajdar Hoxhaj.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishtë. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtaret e Bordit.

 

Ditë më vonë, Aksionarët kanë shkarkuar edhe dy anëtarë të tjerë, në të njëjtën kohë kanë emëruar katër anëtarët e rinjë të Bordit të Drejtorëve të NPB-së.

Bordi është emëruar nga dy aksionarët e ndërmarrjes, Dren Kukaj drejtor i shërbimeve sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së në komunë. Anëtarët e rinj të bordit të drejtorëve të NPB-së përvec Luftar Brahës janë edhe Arbër Blakaj, Alban Ramosaj dhe Driton Tahirukaj.

Anëtarët e emëruar nuk i janë nënshtruar asnjë konkursi.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimi që tregon për dyshimet për manipulime në projektin për ndërtim me kompani private të NPB-së, në lagjen Lakërishtë të Prishtinës. Projekti e kap shifrën rreth 120 milionë euro.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës