Foto: KALLXO.com

Pas fillimit të hetimit për konflikt interesi, kompania e avokatisë kërkon pezullimin e kontratës me KEK-un

Kompania e Avokatisë “Rexhepi Zeqiri Zejna” është fituese e një tenderi që po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e për të cilin është arrestuar edhe kryeshefi i pezulluar i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi përpos të tjerave, u arrestua edhe nën dyshimin për konflikt interesi.

Njëri nga tre aksionarët e kësaj kompanie të Avokatisë, Isuf Zejna, ka qenë avokat personal i kryeshefit të arrestuar. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Zejna, duke thënë se në të paktën dy raste kur Nagip Krasniqi është intervistuar nga Policia, Zejna ka qenë mbrojtës i tij.

“Unë e kam shoqëruar Krasniqin në dy raste pranë Policisë së Kosovës në lidhje me intervistimin e tij si dëshmitar” – ka thënë Zejna për KALLXO.com.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se kompania e tij për më shumë se një vit i ka ofruar këshilla ligjore, sipas tij, pa pagesë kreyshefit Krasniqi si dhe menaxhmentit të lartë të KEK-ut.

“Kryeshefi i KEK dhe menaxhmenti i lartë për më shumë se një vit në baza ad-hoc, kanë marrë këshilla ligjore nga kompania jonë pa kompensim financiar. Ofrimi i shërbimeve pro bono për institucionet publike është një nga vlerat e Shoqërisë së Avokatisë.Vlen të thuhet se shërbime të tilla pa pagesë kemi ofruar edhe në të kaluarën edhe tani për disa institucione publik, individ dhe  OJQ” – ka thënë Zejna për KALLXO.com.

Historiku i tenderit të KEK-ut për angazhimin e një kompanie ligjore

Më 30 qershor 2022, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kishte hapur një tender angazhimin e një kompanie ligjore. Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 60 mijë euro, ndërsa procedura ishte e hapur.

Në këtë tender kishin aplikuar tri kompani ligjore, por në fund të trija ishin eliminuar për shkak se ishin shpallur të papërgjegjshme. Si rrjedhojë, Korporata Energjetike e Kosovës më 4 tetor 2022 kishte anuluar këtë aktivitet të prokurimit, me arsyen se nuk kishte oferta të përgjegjshme nga operatorët ekonomik.

Pasi që i kishte dështuar tenderi, KEK-u në fillim të vitit 2023 ka shpallur një tender tjetër për angazhimin e një kompanie ligjore, por kësaj here me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Dhe për të nënshkruar këtë tender, KEK ka ftuar për negocim pikërisht kompaninë ‘Rexhepi Zeqiri Zejna’, në të cilën aksionar Isuf Zejna, personi që ka qenë avokat i kryeshefit Krasniqit në dy raste kur është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Kompanisë ‘Rexhepi Zeqiri Zejna’ pas negocimit i është dhënë kontrata më 28 mars 2023, ndërsa kjo kontratë me vlerë 60 mijë euro është nënshkruar më 4 prill 2023.

Në një përgjigje për KALLXO.com, avokati Isuf Zejna ka thënë se qëllimi i kontratës është që të jap këshilla për planifikimin kohor të prokurimeve, këshilla mbi proceset e prokurimit, përpilimin e shkresave si dhe pjesëmarrja në seanca në OSHP, procese gjyqësore apo arbitrazh.

Avokati Isuf Zejna ka treguar për KALLXO.com se kur ka kuptuar që tenderi është duke u hetuar, ka kërkuar pezullimin e kontratës.

“Pasi që kemi marrë njoftimin nga mediat se kontrata është pjesë e hetimit penal, menjëherë i kemi kërkuar Zyrtarit përgjegjës të prokurimit dhe Menaxherit të Kontratës që kjo kontratë të pezullohet, deri në sqarimin e situatës sa i përket hetimit penal” – ka thënë ai.

Më tej ai ka thënë se besojnë që kontrata është tërësisht e ligjshme.

“Ne besojmë që kontrata është tërësisht e ligjshme dhe në përputhje me Nenin 35 të Ligjit të Prokurimit Publik, mirëpo meqë ka dyshime nga Prokuroria, kemi shprehur vullnetin që ta pezullojmë këtë kontratë për të shmangur çfarëdo keqkuptimi. Ju njoftoj se deri më sot, vlera e shërbimeve të faturuara për KEK është zero euro” – ka shtuar ai.

Nëpër media ka qarkulluar si pretendim se Isuf Zejna ka qenë edhe këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Por Zejna e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në Ministrinë e Shëndetësisë ishte angazhuar përmes projekteve të Bankës Botërore, për ndihmë në sektorin e shëndetësisë.

“Puna ime në Ministri të Shëndetësisë lidhet me ofrimin e shërbimeve profesionale ndaj administratës dhe Sekretarit të Përgjithshëm përmes Departamentit Ligjor të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit i dorëzohen raportet e punës. Këto shërbime janë ofruar edhe në kohën e z.Vitia, znj. Gexha Bunjaku  dhe z. Latifi” – ka thënë ai.

Më 19 prill 2023, kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin  se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit. Atij i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej një muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com ka raportuar se si njërin nga tenderët për të cilin u arrestuar Krasniqi, përfitues i tij është kompania e Bujar Shalës, vëllaut të Naser Shalës ish drejtorit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, të njohur në publik si komandant ‘Ftyra’.

Shënim: Më 2 maj 2023, ora 11:42: Një fjalë është ndryshuar në titullin e artikullit nga “shkëputjen” në “pezullimin”.