Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

'Tollovia' me mbështetjen e OJQ-ve në Gjilan

Një thirrje publike e Komunës së Gjilanit për mbështetjen financiare për OJQ-të dhe individë është shoqëruar me shumë kritika e dyshime, e që përfundoi deri tek anulimi pasi tronditi ‘ujërat’ në komunë.

Dyshimet e para erdhën për Komisionin Vlerësues që u emërua nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me përbërje: Armend Misini, Enkelejda Arifi, Saranda Rashiti, Fisnik Isufi, Burim Demiri dhe Genc Mustafa si anëtar rezervë.

Thirrja për mbështetjen financiare të OJQ-ve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport u hap më 11 shkurt të këtij viti. Por, gjithçka shkoi krejt në rregull, deri në momentin kur u shpallë lista preliminare e OJQ-ve fituese më 23 mars.

‘Ujërat’ u trazuan pasi lindën dyshimet se dy anëtarët e komisionit vlerësues, Enkelejda Arifi dhe Fisnik Isufi, e ‘shpërblyen’ veten dhe familjarë të tyre me përzgjedhjen e projekt-propozimeve.

Pas tollovisë së krijuar në publik, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni u detyrua që t’i shkarkojë anëtarët e Komisionit Vlerësues.

Në këtë tollovi nuk u përjashtua as emri i Drejtorit të Kulturës, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri si sponzorizues i thirrjes.

E për të gjitha këto pati edhe reagime nga organizatat lokale dhe pas debatit publik për gati 1 javë, Komuna u detyrua që ta anulojë thirrjen.

Dyshimet për konflikt të interesit

Në listën preliminare të projekt-propozimeve të vlerësuara si fituese nga thirrja publike, KALLXO.com ka gjetur se mbështetje ka marrë nga komisioni vlerësues OJQ ‘VEC’ me projektin ‘Angros Edicioni i 5-të’ me përkrahje prej 6,400 euro.

E organizator i këtij festivali dhe përfaqësues i kësaj organizate është Fisnik Isufi, i cili ka qenë anëtar, si ekspert i jashtëm në Komisionin Vlerësues për përzgjedhjen e projekteve më të mira.

Në një bisedë për KALLXO.com, Fisnik Isufi ka mohuar të ketë marrë pjesë në momentin kur është diskutuar për projektin e tij.

“Konkursi kur është shpallë edhe në bazë të ligjit parashihet që në rast të konfliktit të interesit, atëherë duheni mu largu. Për çdo herë kur është diskutu për projekt timin është kërku mu largu”, tha ai.

Për të qenë anëtar i Komisionit Vlerësues si përfaqësues i ndonjë organizate, Komuna e Gjilanit kishte bërë thirrje publike. E Isufi, edhe pse kishte pas në plan të marrë pjesë në përkrahjen financiare, ai ka vendosur që të marrë pjesë edhe si anëtar i Komisionit Vlerësues.

I pyetur në lidhje me këtë çështje, Isufi për KALLXO.com tha se ‘secila palë e ka shmangë konfliktin e interesit gjatë shqyrtimit të projekt-propozimeve’.

“Qëllimi im nuk ka qenë për një projekt, sepse Angros është në Edicionin e 5-të e edhe pa donacionin e komunës mundet me u realizu. Ideja është që unë me kontribu për këtë komunën time, në bazë të aktiviteteve, projekteve që me qenë sa më të mira propozimet sepse përndryshe mu hiç nuk më leverdis”, tha Isufi më tej.

Komisioni në listën preliminare kishte shpallur fituese edhe projektin “Emigrantët” në shumë prej 1,200 euro nga aplikuesi Blend Arifi.

Ky i fundit është djali i anëtares së Komisionit Vlerësues, Enkelejda Arifi.

“Ligji nuk e thotë dhe nuk e përcakton që të dorëhiqem nga Komisioni. E kam këshilluar me zyrën ligjore dhe më kanë thënë që ligji e rregullon këtë gjë, më zëvendëson mua dikush dhe jam në rregull. Mos mendo që nuk e kam bërë këtë gjë. Unë me ndërgjegjen time jam e qetë dhe nuk kam dhënë askujt para, aq më tepër ne vetëm vlerësojmë. Është listë preliminare”, tha ajo në konferencë.

“Një gjë që dua të ju them, flasim për komunitetin kulturor. Pak a shumë e dinë që shumë njerëz trashëgojnë të njëjtin profesion dhe tashti nuk do të fillojmë në familje t’i themi mos u bëjë artist se është konflikt interesi, mos u bëj doktor se është konflikt interesi, nuk mund t’i pezullojmë apo t’i themi njerëzve mos aplikoni se jemi të të njëjtit profesion”, shtoi Arifi.

Ndërsa, anëtari tjetër nga ky komision, Burim Demiri tha se është shmangur konflikti i i interesit në çdo kohë.

“Ne kemi konstatuar se në momentin që kanë ardhë projektet, aty është djali i znj. Enkeleda. Atëherë duhet të vijë anëtari rezervë që të bëjë vlerësimin e projektit tuaj”, tha ai.

Në publik po ashtu është folur edhe për projektin ‘Varg e Vi Fest’ të organizatës Varg e Vi.  Në listën preliminare ky projekt mori përkrahjen prej 6,360 euro nga Komisionin Vlerësues.

KALLXO.com ka gjetur se drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, drejtori kjo që e shpalli thirrjen, ka qenë themelues i kësaj organizate.

Në lidhje me këtë çështje, Zeqiri për KALLXO.com tha se nuk është pjesë e kësaj organizate që nga viti 2018 dhe s’ka pasur asnjë ndikim që kjo organizatë të jetë në listën preliminare.

“Unë s’jam anëtar tash e disa kohë në organizatë. Mbrëmë e shikova, eventin e fundit që kam marrë pjesë ka qenë në vitin 2018 dikur dhe s’kam marrë pjesë në asnjë aktivitet. Unë s’kam pas asnjë bisedë me të organizatës para aplikimit. Unë kam qenë një ndër themeluesit dhe kam dhënë dorëheqje dhe s’jam marrë me atë punë dhe tash po shikojnë me mu kap në konflikt të interesit”, tha Zeqiri.

Reagimet e Organizatave

Një nga organizatat që kanë aplikuar në këtë thirrje dhe nuk arritën të jenë pjesë e listë preliminare, OJQ “KrudoKultura”, më 26 mars, kishte shprehur shqetësimin për ‘manipulime me fonde’ në thirrjen publike për mbështetje financiare të OJQ-ve/Individëve në Komunën e Gjilanit nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Edhe kjo organizatë përmendi konfliktin e interesit mes anëtarëve të Komisionit dhe organizatave përfituese.

“Në këtë thirrje publike përfitues në listën përfundimtare kanë dalë individë dhe OJQ, përfaqësues të të cilave kanë qenë anëtarë të komisionit vlerësues ose të afërm të anëtarëve të komisionit vlerësues për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve lidhur me Thirrjen publike për mbështetje financiare të Ojq-ve/individëve të datës 11.02.2022”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu kërkuan që konkursi të kthehet në pikën zero.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto shkelje (konflikt interesi) duke u bazuar ne Ligjin për Konflikt Interesi neni 13, 14 dhe 9 dhe rregullores së Ministrisë së Financave 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 19 dhe neni 8, ne kërkojmë që procesi të anulohet dhe të kthehet në pikën zero”, thuhet në reagimin e Organizatës.

Pas këtij reagimi dhe presionit publik, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni më 29 mars, përmes një postimi në Facebook njoftoi që do ta shkarkojë Komisionin Vlerësues që e kishte emëruar.

Një ditë më pas, më 30 mars, Komisioni doli me një konferencë për media, duke thënë se kanë bërë vlerësim profesional.

Anëtari i këtij komisioni, Burim Demiri tha se si Komision kanë respektuar rregulloret për vlerësimin e organizatave dhe kanë bërë vlerësim profesional.

Kurse më 31 mars, Komuna e Gjilanit njoftoi se është anuluar thirrja për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve të datës 11 shkurt.

Në bazë të vendimit të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, në këtë komunë, Kushtrim Zeqiri, është thënë se është anuluar e gjithë procedura dhe lista preliminare e përfituesve.

“Anulohet e gjithë procedura dhe lista preliminare e përfituesve që është nxjerrë në uebfaqe të komunës me datë 22.03.2022”, thuhet në vendim.

Debat edhe në Kuvendin Komunal

Për tollovinë e krijuar kritika pati edhe opozita në Gjilan. Në mbledhjen e Kuvendit Komunal, asamblist i LDK-së, Gentrit Murseli kërkoi sqarime nga ana e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni për thirrjen publike që u zhvillua me shumë kritika publike.

“Kryetar, tregona a ka qenë vendimi apo njoftim për shkarkimin e anëtarëve të komisionit. Kur bënë postime të tjera, së pari bëje vendimin, pastaj postimin, sepse komisioni tha të nesërmen se na s’kemi informata”, tha Murseli.

Për këtë kryetari i Komunës, Alban Hyseni tha se momenti që është konstatuar shkelja e ka anuluar thirrjen.

“Momentet e para që janë konstatuar lidhjet e afërta, unë e kam anuluar thirrjen. Ajo çka po kërkoni është me taku para vlerësimit, unë e kam taku mas vlerësimit, e unë ndikim nuk bëjë. Momenti që është konstatuar shkelja është anuluar thirrja, ky është veprimi i kryetarit të Komunës. Kryetari s’ka kompetencë me ndërhy në komision”, tha ai.

“S’jam me kontrollu, po me përzgjedh komisionin. Kur komisioni vepron kundërligjshëm edhe e anuloj thirrjen s’ka diçka tjetër këtu. A po doni me kthy thirrjen prapë? Unë e di çka boni mos me anulu thirrjen”, shtoi më tej Hyseni.

Thirrja publike e shpallur më 11 shkurt ishte për mbështetje financiare publike të individëve dhe OJQ-ve në projektet me aktivitete kulturore, sportive, dhe rinore në Komunën e Gjilanit.

Të drejtë aplikimi kanë pasur organizatat dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës, rinisë, dhe sportit, që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet/programet me karakter: Aktivitetet e kalendarit vjetor, të publikuar në kuadër të kësaj thirrje; artistik/ krijues, të të gjitha formave artistike, sportiv, të të gjitha.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, dërguar nga Komuna e Gjilanit, Komisioni kishte pranuar 130 aplikacione nga kjo thirrje.

Pas anulimit të konkursit, Komuna e Gjilanit ka njoftuar se thirrja për subvencionim do të rishpallet dhe do të formohet komisioni i ri vlerësues.