Ministri Shyqiri Bytyqi dhe drejtorët e Arsimit - Foto: facebook

Ministri dhe drejtorët komunalë të Arsimit kërkojnë ndërprerjen e grevës nga nesër

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe drejtorët e drejtorive komunale të arsimit (DKA) kanë diskutuar në një takim për gjendjen e krijuar pas fillimit të grevës në arsim dhe mundësitë për të dalë nga kjo situatë.

Ministri Bytyqi i ka njoftuar drejtorët e DKA-ve për gjithë angazhimin që ka bërë MAShT-i në mënyrë që të arrihet sa më parë një marrëveshje për të dalë nga kjo gjendje, e cila më së shumti po i dëmton nxënësit.

Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë këtij takimi secili nga drejtorët e drejtorive komunale të arsimit u deklaruan se janë kategorikisht kundër grevës dhe shprehën besimin e tyre që akterët vendimmarrës shumë shpejt të gjejnë një zgjidhje, e cila do të rezultojë me ndërprerjen e grevës.

MAShT dhe DKA pas takimit i kanë bërë thirrje SBAShK-ut për ndërprerjen e grevës në të gjithë sistemin arsimor, në veçanti nëpër çerdhe që nga dita e nesërme.

Gjithashtu është formuar grupi punues që do të udhëhiqet nga ministri Bytyqi, pjesë e të cilit do të jenë tre drejtorë të DKA-ve dhe një përfaqësues nga Këshilli i Prindërve, grup i cili do të zhvillojë takime me përfaqësues të SBAShK-ut dhe akterët e tjerë vendimmarrës në funksion të arritjes së një zgjidhje.