Ministri Bytyqi: Nëse studentët shqiptarë janë deklaruar si komunitet pakicë atëherë kemi të bëjmë me falsifikim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, raportoi para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me çështjen e regjistrimit të pjesëtarëve të komunitetit shumicë për vendet e rezervuara në universitete publike për komunitetin jo-shumicë dhe në Qendrën e Studentëve, për vitin akademik 2018-2019.

Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që të ketë masa lehtësuese për pranimin e komuniteti jo-shumicë në universitete publike dhe në Qendrën Studentore si dhe kërkuan që të bëhet plotësim ndryshimi i Udhëzimit Administrativ që rregullon çështjen e deklarimit të komunitetit të cilit i përket.

Ministri Shyqiri Bytyqi tha se kanë kërkuar nga universitetet publike që kriteret për pranim të jenë të njëjta dhe që kuotat të jenë të rezervuara për kandidatët e komuniteteve që i plotësojnë kriteret.

Sipas tij, çdo i ri që ka aplikuar dhe i ka plotësuar kushtet është pranuar. Ai tregoi se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga komuniteti jo-shumicë për mospranim në universitete publike.

“Sa i përket regjistrimit të studentëve në Qendrën Studentore edhe kjo është e rregulluar me akte ligjore, me poentimin që bën Qendra Studentore. Nga informacionet që ka sjellë QS-ja nuk kemi pasur ndonjë ankesë që nuk është respektuar qoftë te procedura e aplikimit apo ajo e pranimit. Numri i të rinjve për studentët jo-shumicë është 845 studentë, ndërsa numri i studentëve që janë regjistruar në universitete publike është 106 prandaj shihet që numri nuk është plotësuar”, ka thënë Bytyqi.

Deputeti Danush Ademi nga 6+ tha se pajtohet që ata që s’i plotësojnë kriteret e përcaktuara të mos jenë pjesë e universiteteve mirëpo siç deklaroi ai, duke i pasur parasysh specifikat e komuniteteve të cilët gjuhën amtare e kanë rome.

Sipas tij, trysnia që po i bëhet nga komuniteti ashkali po e obligon që të kërkoj masa lehtësuese.

“P.sh. në gazetari kanë mbetur vendet e zbrazëta për një pikë apo dy dhe studentët kanë mbetur në rrugë. Është jo logjike që një studentë që e ka gjuhën amtare atë rome për një pikë të mbetet jashtë. Propozoi që në degë të caktuara kur vendet janë të zbrazëta dhe bëhet fjalë për një, dy apo tre pikë t’u jepet rasti të jenë të barabartë me studentët tjerë”, ka thënë ai.

Veton Berisha nga PLE tha se udhëzimi administrativ që ka pasur për qellim kyçjen e të rinjve të komuniteteve nuk po zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjitha universitetet publike.

Sipas tij, ky udhëzim lë hapësirë për manipulim sepse siç deklaroi ai, të rinjtë që janë shqiptarë po deklarohen se ndihen egjiptianë, romë, ashkali apo çfarëdo.

“Në afatin e dytë në Qendrën Studentore iu zihen vendet studentëve dhe ata të afatit të dytë e kanë problem me hy dhe prandaj duhet të ruhen vendet në të dy afatet për komunitetet jo-shumicë. Mendoj që udhëzimi ka nevojë për plotësim ndryshim mbi bazën e problemeve që po shkaktohen në praktikë. Ka hapësirë ku njerëzit po mund ta keqpërdorin. Udhëzimi ka zbrazëti sepse kandidati e ka të drejtën e deklarimit që është një ligj i cili e mbron dhe nuk kemi të drejtë me ngrit padi. Prandaj do të duhej që prindi dhe dy dëshmitarë të deklarojnë që ai person i përket atij komuniteti”, përfundoi Berisha.

Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta tha se çdo kandidat i komunitetit jo-shumicë që e arrin minimumin e kriterit për pranim në mënyrë të drejtpërdrejtë pranohet në Qendrën e Studentëve.

Ndërsa, kur jemi tek falsifikimi i listave, Sfishta theksoi se nuk ka hapësirë për manipulime të këtij lloji sepse siç deklaroi ai, ka komunikim të ngushtë me përzgjedhësit.

Ministri Bytyqi gjithashtu theksoi se MASHT-i nuk mund ta ulë kriterin e universiteteve publike për pranimin e studentëve sepse siç deklaroi ai, mospranimi i kandidatëve për një pikë apo dy ka ndodhur edhe tek kandidatët e komunitetit shumicë.

“Në fakultetin e Mjekësisë janë mbi 200 studentë që nuk janë pranuar pavarësisht qe i kanë plotësuar kushtet dhe poenat, por s’ka pasur vende të lira. Nëse kemi lista që studentët janë shqiptarë dhe janë deklaruar si komunitete pakicë atëherë kemi të bëjmë me falsifikim prandaj duhet filluar procese gjyqësore për këto raste. Nëse është në mënyrë vullnetare ne s’kemi se çfarë të bëjmë. Do të kërkojnë nga të gjitha universitetet që të na i sigurojnë listat me kuota të siguruara për komunitete që janë pranuar”, përfundoi ministri.