Minatorët e Trepçës paralajmërojnë protesta kundër deklaratave të BE-së

Agim Bahtiri dhe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës kundërshtuan fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq lidhur me përfshirjen e çështjes së Trepçës në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ka pritur sot në takim kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Trepçës, Shyqyri Sadiku, me të cilin kanë diskutuar lidhur me deklarimet e fundit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq.

Bahtiri dhe Sadiku kanë biseduar rreth deklarimit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, e cila ka thënë se çështja e Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, edhe përkundër faktit që Kuvendi i Republikës së Kosovës para pak ditësh ka votuar statutin e ri për Trepçën.

Ata e kundërshtojnë fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së Kocijançiq, duke thënë se tema mbi Trepçën nuk guxon të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve në Bruksel, sepse Trepça është e minatorëve, dhe përbën një pasuri kombëtare, andaj diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Të dy palët ishin të pajtimit që zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, të tërhjek qëndrimet e saj për çështjen e Trepçës përmes një deklarate, përndryshe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shumë shpejt do të organizojnë protesta para zyrave të BE-së në Prishtinë.

 

https://kallxo.com/be-hesht-karshi-idese-se-ndarjes-territoriale-te-kosoves/