Milaim Zeka i reagon Jakup Krasniqit: Ata që më kritikojnë janë profiterë politikë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, i është kundërpërgjigjur Kryetarit i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Jakup Krasniqi, i cili gjatë ditës së djeshme ka kritikuar gjuhën e deputetit Zeka duke thënë që është penduar për futjen në listë të deputetit Zeka.

Në një prononcim për KALLXO.com deputeti Zeka tha se asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë në kundërshtim me normat parlamentare. Sipas tij deputetit Krasniqi nuk i ka penguar gjuha e tij kur ky I fundit ka folur kundër kundërshtareve me fjalorë të rrepte.

“Qëndrimi imë është ai që ka qenë para se të deklarohet Z. Krasniqi. Gjatë qëndrimit në NISMA unë veç gjithçka që e thash e thash publikisht nuk kam përfituar as 000.1 % diçka prej NISMA-së ose prej politikës, kështu që Jakup Krasniqi e di këtë punë. Atii i ka pëlqyer fjalori im kur unë kam folur kundër kundërshtarëve të tij me fjalor të rreptë. Unë në Parlament të Kosovës kam folur gjuhë parlamentare vetëm një herë e kam përdorur një llaf kur ka qenë seanca kur kemi folur për dialogun Kosovë –Serbi, kurrë në jetë nuk kam përdorur asnjë fjalë diçka që bie në kundërshtim me normat e gjuhës parlamentare”, tha ai.

Tutje Zeka tha se gjatë qëndrimit në NISMA nuk ka përfituar asgjë dhe sipas tij ata të cilët e kritikojnë atë janë “profiterë të politikës dhe partive politike”.

“Jakup Krasniqi e di, do të vijë momenti kur do të flas, vetëm mund të them që ata të cilët më kritikojnë janë profiterë të politikës dhe të partive politike. Unë nuk kam përfituar asgjë nga politika, nuk kam përfituar në Komunë, nuk jam bërë kryetar i parlamentit, as në RTK nuk më kanë lejuar të hyj këta njerëz. Unë i kam thënë NISMA-s, jam njeriu i dytë i votuar në NISMA, pas Fatmir Limajt, mua më kanë votuar elektorati i NISMA-s, PDK-së dhe AAK-së”, tha Zeka.

Deputeti Milazim Zeka tha se asnjëherë nuk do të largohet nga grupi parlamentar I NISMA-së, përderisa këtë nuk ia kërkon kryetari Fatmir Limaj.

“Gjithmonë jam dhe do të jem deputet i NISMA-s deri në momentin kur kryetari Limaj konsideron se unë nuk mund të jem pjesë e grupit parlamentar dhe deputet i kësaj partie. Në NISMA flas dhe konsultohem vetëm me Z. Limaj”, tha ai.