Ministrja Haxhiu për rastin e Enver Sekiraqës ngre dyshime për përfshirje në korrupsion dhe kërkon përgjegjësi 

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka ngritur dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe ka kërkuar një hetim profesional e përgjegjësi për rastin e Enver Sekiraqës, pasi i njëjti tashmë me aktvendimin e fundit të Gjykatës së Apelit do duhej të kthehej në paraburgim por që nuk u has në shtëpi nga Policia e Kosovës. 

“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze. Ky rast, përveç tjerash ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”- ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook. 

Enver Sekiraqa u bë i paarritshëm për Policinë e Kosovës pasi i njëjti nuk u gjet në shtëpi për dz herë sa e kishte kërkuar policia pas aktvendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, për tu rikthyer në masën e paraburgimit. 

Pas këtij informacioni, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar duke kritikuar vendimet e gjyqtarëve, e edhe atë për lirimin në arrest shtëpiak të Sekirqaës. 

“Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet në arrest shtëpiak dhe kësisoj arratiset tërësisht. Kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës”- thuhet në reagimin e Haxhiut në Facebook. 

Tutje Haxhiu tha se kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. 

“Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”- shtoi tutje ajo. 

Në reagimin e Haxhiut thuhet edhe se ‘caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh’. 

“Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim!”- vazhdon reagimi i ministres Haxhiu. 

Ajo ka vazhduar kritikat ndaj sistemit gjyqësorë.

“Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”- thuhet në reagim. 

Sipas Haxhiut kjo cështje është mjaft shqetësuese dhe do të duhej të shërbente si alarm. 

Pas kërkesave në Policinë e Kosovës për këtë cështje të njëjtit në një përgjigje kanë dhënë se kanë pranuar akvendimin nga Gjykata e Apelit të datës 17.05.2024 dhe i ka dërguar Sekiraqës por që ai nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. 

Meqënëse Sekiraqa nuk u has në shtëpi, Policia e Kosovës thotë se njoftoi organet e drejtësisë se ftesa i është dërguar por që ai nuk ishte në shtëpi. 

Edhe gjatë ditës së sotme (18.05.2024) Policia e Kosovës tha se për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. 

Për këtë situatë, menjëherë janë njoftuar edhe pikat kufitare që në rast se haset të ndalohet menjëherë. 

Policia kanë thënë se veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktoj dhe të marrë një qëndrim edhe nga avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi por e njëjta ka qenë e paqasshme përmes telefonit. KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Gjyqtari Agim Kuci por ende deri në publikimin e këtij shkrimi kanë qenë të paqasshën.

Plot 17 vite më parë në Prishtinë, në moshën 27 vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.

Kujtojmë se vetëm në gjykimin e fundit ndaj Sekiraqës janë ndërruar mbi katër Prokurorë të cilët kanë përfaqësuar rastin, Burim Qerkini duke qenë i fundit e që i kanë paraprirë Shpëtim Peci, Merita Bina Rugova e Haki Geci.

Raportimet e KLLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK