​Memoriali për Ushtarët Sllovakë në Park të Prishtinës

Kuvendi komunal i Prishtinës i është kthyer përkohësisht punës normale të premten, sa për ta miratuar një propozim për vendosjen e një pllake përkujtimore për ushtarët sllovakë të KFOR-it.

Propozimi që është miratuar me unanimitet nga këshilltarët komunalë i hapë rrugë vendosjes së kësaj pllake më 19 janar, të martën, ditën kur pritet që të qëndrojë në Kosovë ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Miroslav Lajcak.

Në mbledhjen urgjente të mbajtur sot, shefat e grupeve parlamentare të PDK,LDK, Vetëvendosje, AAK, AKR, PD dhe Lista Serbe e përkrahën caktimin e lokacionit të vendosjes së memorialit për ushtarët e Sllovakisë.

42 ushtarë sllovakë që shërbenin në kuadër të KFOR-it humbën jetën më 19 janar 2006, pas përfundimit të misionit të tyre në Kosovë, si pasojë e rrëzimit të aeroplanit që po i kthente në vendlindje.

Emrat e të gjithë atyre prej të martës do të jenë të gdhendur në një pllakë në Prishtinë.

pllaka

Pllaka përkujtimore për ushtarët sllovakë të KFOR-it

Qëndron Kastrati nga lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se nuk janë dhënë shpjegime të mjaftueshme për arsyetimin e vendosjes së memorialit, mirëpo ka thënë se ky grup parlamentar e përkrah vendimin.

“Ne si grup e përkrahim këtë pllakë për vendosje të iniciuar ose propozuar nga Presidentja e Kosovës por e kemi një kërkesë për disa shpjegime sidomos nga kryesuesi që na u dhanë në lidhje me kush janë këta emra dhe si ka ndodhur të jenë edhe në arsyetimin në letër”, tha Kastrati.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Sami Hamiti ka thënë se grupi parlamentar i LDK-së e përkrah këtë vendim për shkak se është një vendim që është marrë edhe në vitet e kaluara.

“Grupi Parlamentar i LDK-së e përkrah vendimin sepse është një vendim i kontinuitetit, që ka qenë i përcaktuar edhe më herët”, tha Hamiti.

Edhe Grupi Parlamentar i Listës Serbe e përkrahu vendimin, ndërsa Partia e Drejtësisë ka dhënë një sugjerim rreth lokacionit për vendosjen e memorialit.