Ilustrim

Maskat Grabisin Bankën në Fushë Kosovë

Nën kërcënimin e armëve, disa persona të maskuar kanë grabitur sot në Fushë Kosovë një filialë të një banke vendore, konfirmoi Policia e Kosovës.

Sipas policisë, incidenti ndodhi të hënën rreth orës 10 në rrugën “Nëna Tetezë” në Fushë Kosovë.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni policia me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, tha Policia e Kosovës e Rajonit të Prishtinës.

“Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga persona të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur”, shtoi Policia.

Sipas Policisë, të dyshuarit pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, nën kërcënimin e armës dhe duke shtënë në ajër janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Për të konfirmuar shumën e parave të grabitura policia është duke punuar ngushtë me zyrtarë të bankës, tha Policia.

Deri tani policia ka arritur ta sekuestrojë një motor, që dyshohet se është përdorur prej të  dyshuarve, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ky mjet është duke u ekzaminuar nga njësitet përkatëse.

“Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla”, thuhet në komunikatën e Policisë.