Foto: Atdhe Mulla

Marrëveshja e Demarkacionit Pezull – Nuk Dihet Kur Vazhdon Seanca

Konsensusi i partive në pushtet me LDK-në për ta kaluar marrëveshjen e demarkacionit rrezikon të prishet për shkak se AAK-ja thotë që ka pasur ndryshime në Projektligjin për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Burime të KALLXO.com brenda PDK-së, thonë se kryetari Veseli do t’i ulë sërish palët, në mënyrë që të gjendet përsëri kompromisi.

“Pas përplasjeve te LDK me AAK për përmbajtjen e projektligjit, Veseli pritet t’i ulë sërish palët në tryezë për t’i bërë bashkë para seancës që pritet të vazhdojë javën e ardhshme e ku të pranishëm tani do të jenë edhe Lista Serbe”, ka thënë ky burim për KALLXO.com.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha për KALLXO.com se tani gjithçka është në dorë të koalicionit në pushtet.

“Tani është në dorën e koalicionit qeverisës që të sigurojnë 61 vota të tyre. Nuk e di kur mund të organizohet seanca. Grupi Parlamentar i LDK-së është i gatshëm kurdo të marrë pjesë në seancë. Edhe me rëndësi të përmbyllet kjo çështje që ka mbetur peng gati tre vjet”, tha Hoti për KALLXO.com.

Seanca e së mërkurës ku u prit të votohej për demarkacionin, përfundoi pa dalë fare kjo marrëveshje në votim, kjo për shkak se koalicioni qeverisës nuk i kishte votat e mjaftueshme, sepse mungonte partneri qeverisës- Lista Serbe.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala tha për KALLXO.com se është çështje ekskluzive e kryetarit të Kuvendit që të thërrasë mbledhjen e kryesisë ku do të vendoset për vazhdimin e seancës për demarkacionin.

E që ende nuk ka vendim për vazhdimin e seancës, e ka konfirmuar edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Social-Demokrate, Bilall Sherfi. Ai tha për KALLXO.com se ajo çka dihet është që të hënën do të mbahet seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment edhe nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi por ai nuk është përgjigjur.

Marrëveshjes së gushtit 2015 për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i janë shtuar edhe dy dokumente tjera. Deklarata e përbashkët e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi se në rast se gjenden gabime në vijën kufitare ato do të korrigjohen dhe raporti i Komisionit shtetëror të Shpejtim Bulliqit që pretendon se ka gjetur gabime në marrëveshjen e parë të cilat i kushtojnë Kosovës me mbi 8 mijë e 200 hektarë.

Marrëveshja e 2015 kishte shkuar në Kuvend edhe gjatë qeverisjes së Mustafës, por nuk kishte dalë në votim për shkak se koalicioni i atëhershëm nuk i kishte pasur votat e nevojshme.