Konferenca për pronësinë intelektuale

Markat e Tekstilit dhe Alkoolit më të Falsifikuarat

Agjencia e Pronësisë Industriale, Zyra për të Drejtat e Autorit, Dogana e Kosovës, Inspektorati i Tregut dhe Policia e Kosovës diskutuan në një konferencë për të drejtat e pronësisë intelektuale në ditën botërore të kësaj pronësie.

Në hapje të konferencës ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala tha se pronësia intelektuale ka rëndësi shumë të madhe për avancimin dhe zhvillimin e kulturës, shkencës dhe teknologjisë dhe se është obligim ligjor që të bëhet mbrojtja e krijimeve intelektuale.

“MKRS-ja ka ndërtuar infrastrukturën ligjore për të drejtat e autorit dhe për ato të të drejtave të përafërta dhe në këtë mënyrë Kosova është plotësisht e përgatitur për t’u anëtarësuar në organizatën botërore të pronësisë intelektuale. Ne kemi obligim ligjor mbrojtjen e krijimeve, sepse në këtë mënyrë ngremë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik,” tha ministri Shala.

Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë krijueseve që të përdorin mjetet juridike të parapara sipas dispozitave ligjore me qëllim të mbrojtjes së drejtave të tyre.

Ilir Salihu, shefi i kabinetit të ministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha se pronësia intelektuale është e mbrojtur me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, gjithashtu është prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe se në këtë aspekt duhet më shumë bashkëpunim të institucioneve të vendit.

“Pronësia në vendin tonë është e mbrojtur më kushtetutë dhe ligj. Mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Është i rëndësishëm bashkëpunimi efikas i të gjitha institucioneve. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, bashkëpunimi do të jetë edhe më përmbajtjesor dhe efikas,” tha Salihu.

Sadije Topojani nga Dogana e Kosovës tha se mbi 450 marka gëzojnë mbrojtje dhe se në vitin 2015 janë konfiskuar mallra me vlerë prej 8 milionë eurosh.

Ndërsa, Lulëzim Syla, kryeinspektori i tregut, tregoi të arriturat që ka bërë ky institucion në luftimin e piraterisë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe ngritjen e kapaciteteve.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, tekstili dhe alkooli përbën pjesë më të madhe të konfiskimit nga ky institucion për shkelje të pronësisë intelektuale. 53 për qind të mallrave të tilla kanë si vend origjine Kinën e 18.3 për qind Turqinë.

http://kallxo.com/beteja-e-kosoves-kunder-piraterise

Gjatë ditës së sotme në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë u zhvillua aktiviteti që përfshin ekspozimin e mallrave false të konfiskuara nga institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës, i cili realizohet në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

http://kallxo.com/ekspozite-mallra-te-falsifikuara