Pacolli duke prezantuar letrën e njohjes nga Madagaskari | Foto: Facebook

Madagaskari Njeh Kosovën

Sipas ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli dhe ambasadores së Kosovës në SHBA Vlora Çitaku, Madagaskari para pak çastesh ka njohur Kosovën.

Çitaku ka shkruar në Facebook “ Madagaskari sapo njohu Republikën e Kosovës”, ndërsa Behgjet Pacolli krahas fjalëve e ka publikuar edhe notën verbale të kësaj njohjeje

“Urime Kosovë! Faleminderit Madagaskar. Nga sot Kosova dhe Madagaskar kanë nga një mik më shumë. Falënderimet e mia më të sinqerta për popullin, Presidentin dhe Qeverinë e Madagaskar”, ka shkruar Pacolli po ashtu në Facebook.

“Konform argumenteve ligjore, politike dhe historike të njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur të paraqitura në letrën tuaj, Madagaskari, i bindur në të drejtën e popujve për vetëvendosje, mirëpret avancimin e procesit të aderimit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në notën verbale të publikuar nga Pacolli.

Nota e njohjes është nënshkruar nga Henry Rabari Njaka, ministri i Punëve të Jashtme të Madagaskarit.

“Jam i sigurt se kjo etapë e re do të hapë mundësi për dy vendet tona në konsolidimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor”, thuhet më tutje në letrën e Njakas për Behgjet Pacollin.

Madagaskari është një shtet-ishull në juglindje të bregdetit të Afrikës, me një popullsi prej gati 25 milionë banorësh, sipas një regjistrimi të vitit të kaluar.

Njohja nga Madagaskari i vjen Kosovës në kohën kur Serbia thotë se Surinami ka tërhequr këtë njohje.