LVV nuk i Përjashton Negociatat me Qeverinë

Ndonëse vazhdon të kërkojë largimin e Qeverisë Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë dy kushte, plotësimi i të cilave do t’i ulte në tavolinë me të.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, tha se këto dy kushte janë tërheqja e nënshkrimeve nga dy marrëveshjet e Brukselit ose caktimi i datës për zgjedhjet e parakohshme në vend.

“Tërheqja prej nënshkrimeve do ta sillte opozitën në tavolinën e bisedimeve. Kjo do të ishte derë e hapur për zgjidhjen e krizës politike. Vetëm kjo do të na ulte në tavolinë me Isa Mustafën”, ka thënë ai.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit se nuk do të udhëtojë në Bruksel pa marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, Konjufca tha se Isa Mustafa me këtë thyerje të premtimit tash kur ka paralajmëruar se do të shkojë, tregon se ka gënjyer dhe mashtruar.

Sipas tij, kjo është një dëshmi se sa joserioz është kryeministri Mustafa, premtimet e të cilit, siç tha Konjufca, zgjasin maksimalisht një muaj. “Kjo tregon se sa të paqëndrueshme, sa të kota e boshe janë fjalët e premtimet e këtij kryeministri”, tha shefi i grupit parlamentar të LVV-së, sipas të cilit kjo është një dëshmi se sa lehtë “Mustafa i ha fjalët e veta”.

Lajmin më të rëndësishëm të vitit 2015, Konjufca e cilësoi atë që “kryeministri i vendit ka shkelur aktin më të larte juridik të vendit”.

Ai theksoi se tandemi Mustafa-Thaçi me nënshkrimet e tyre kanë cenuar integritetin dhe sovranitetin e vendit.

“Gjithçka që kanë vendosur ka qenë në shkelje te themeleve të shtetit. Është e pafalshme se si Mustafa shkon atje, ka mbi 20 këshilltarë, që shiten që janë profesionistë e na sjellin marrëveshje me 23 pika që shkelin Kushtetutën. Këta (këshilltarë) nuk shkojnë atje për ta mbrojtur Republikën dhe shtetësinë e Kosovës, por më shumë këto negociata i shohin si mundësi për vizita turistike në kryeqytetet e Evropës”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të LVV-së.

Më tej, Konjufca tha se kryeministri Mustafa më nuk gëzon kurrfarë legjitimiteti e as përkrahje popullore.

Në fund ai përmendi “pesë sinjalet” e opozitës që kanë treguar që këto marrëveshje janë të dëmshme. “Kundërshtimi në Parlament, gazi lotsjellës, peticioni me mbi 200 mijë nënshkrime, vendimi i Kushtetueses dhe demonstrata e 9 janarit. “Do ta japim edhe sinjalin e 6-të më 17 shkurt”, theksoi ai.