Lluka ne Komisionin per Zhvillim Ekonomik, Foto: KALLXO.com

Lluka: Telekomi i ka dhënë jashtëligjshëm qasje kompanisë 'Artillery One'

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha sot në Komisionin për Zhvillim Ekonomik se menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, pa përkrahjen e Ministrisë ka nënshkruar një marrëveshje konfidincialiteti me një nga kompanitë e interesuara për privatizimin e Telekomit, “Artillery One”.

“Unë në zyrën time kam pasur vizita me katër kompanitë që janë të interesuara për Telekomin, kompania “Artillery One”, ka kërkuar nga unë që të ketë qasje në dokumente publike, por u kam dërguar email që nuk e lejoj një gjë të tillë, madje edhe më kanë ofenduar që nuk po e lejojë këtë. Këtu nuk ka punë Qeveria, nuk e kam nënshkruar unë, por këtë gjë e ka nënshkruar U. D. kryeshefi i Telekomit dhe Bordi”, tha Lluka gjatë raportimit të tij në Komision.

Ai po ashtu tha se kjo marrëveshje i lejon kompanisë në fjalë qasjen në të gjitha të dhënat e Telekomit.

“Kjo marrëveshje i lejon qasje kompanisë “Artillery One”, në data-roomin e Telekomit që të ketë qasje në gjithçka që ndërmerrë Telekomi, në mënyrë që kur të ofertojnë për privatizim të dinë më mirë se çka do të blejnë. Ky është veprim i jashtëligjshëm sepse një proces i tillë, s’duhet të ndodhë pa u bërë një komision që merret me të gjitha procedurat e privatizimit”, tha Lluka pasi deputetët e këtij komisioni ngritën shqetësime për këtë kompani.

Anëtari i këtij komisioni nga PDK, Memli Krasniqi, tha se është shqetësuese si është nënshkruar marrëveshja mes Telekomit dhe kompanisë, pa miratimin e MZhE-së.

“Është shumë shqetësuese nëse nuk kanë të drejtë me nënshkru kontrata të tilla dhe nënshkruajnë. Nëse kjo mund të jetë problematike për të ardhmen atëherë mendoj që kjo të trajtohet sa më shpejtë. Jam i bindur që nëse ka një projekt serioz do vijnë edhe kompani serioze. Duhet qysh tash në hapat e parë të sigurohet që procesi është i drejtë dhe transparent”, tha Krasniqi.

Kurse anëtari tjetër nga VV, Galuk Konjufca tha se kjo kopmani është shumë e dyshimtë sepse me datën 4 shkurt është regjistruar dhe me datën 5 shkurt kanë nënshkruar kontratë me Telekomin.

https://kallxo.com/lluka-kontrata-mes-z-mobile-dhe-telekomit-skadon-ne-qershor/

.