Limaj: Tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog

Pas miratimit të Platformës për dialog me Serbinë dhe Ligjit për Dialogun, bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime, Fatmir Limaj, tha se tani e tutje, delegacioni shtetëror udhërrëfyes të vetin në dialog me Serbinë do ta ketë Platformën e miratuar në Kuvend.

“Platforma e miratuar në Kuvendin e Kosovës përmban parimet mbi bazën e të cilave do të futemi në dialogun e mundshëm me Serbinë. Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që Platforma e miratuar sot nga ligjvënësit paraqet unitetin e institucioneve të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë”, ka shkruar Limaj në profilin e tij në Facebook.

Ai tha se tani Kosova e ka pozicionin e vet zyrtar në dialog.

“Sa u përket objektivave tona në dialog, ato tanimë janë të njohura; Kosova hyn në dialog për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila çon në njohje reciproke, mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe hap perspektivë të qartë euroatlantike për vendin dhe përfundimisht siguron paqe e mirëqenie për këtë pjesë të Ballkanit”, tha Limaj.