Kuvendi i Maqedonisë | Foto: Wikipedia

Ligji për Gjuhët Lë pa Gjumë Deputetët

Ora ishte dy e mëngjesit, ndërsa në Kuvendin e Maqedonisë debatohej ende rreth Ligjit për Gjuhët.

Në këtë moment kryetarja e grupit të deputeteve femra Liljana Kuzmanovska ia kujtoi kryepralamentarit Talat Xhaferi se sa është ora.

“Ne jemi gra, nuk themi se jemi më të dobëta se burrat. Kemi punuar me kushte mjaft të rënda, rrugë 4 orë dhe tash pas mesnatës, ora dy, po punojmë ”, tha Liljana Kuzmanovska, VMRO-DPMNE”, tha Kuzmanovska deputete e VMRO-DPMNE.

Por kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se po qëndron aty për shkak të diskutimeve të deputetëve.

“Nuk kam ardhur këtu për të fjetur, ju të gjithë keni të drejtë që të dilni dhe të ktheheni, ndërkaq unë vetëm rri këtu, sepse ju po më detyroni të qëndroj këtu”, tha Xhaferi.

Deputeti Nikolla Popovski tha se brenda 8 vjetëve Ligji për Përdorimin e Gjuhëve miratohet për të tretën herë, shkruan TV21.TV.

“Bëhet fjalë për një ligj për përdorimin e gjuhëve që miratohet tri herë brenda 8 vjetëve e gjysmë. De fakto, në çdo tre vjet sjellim ligj për përdorimin e gjuhëve. Një tjetër koincidencë e çuditshme , kjo ndodh në vitin 2008, 2011 dhe në vitin 2017 brenda kontekstit zgjedhor”, tha Nikolla Popovski, deputet i VMRO-DPMNE.

Petar Atanasov i LSDM-së i tha Popovskit se kjo çështje është dashur të mbyllet më herët, por partia e tij s’ka pasur guxim ta bëjë.

“Zotëri Popovski, ju tani po e parashtroni pyetjen thelbësore, a paska nevojë që të miratohet një ligj i tillë? Ja, pyetni kolegët nga partitë politike shqiptare. Të gjithë thonë se ka nevojë të miratohet një ligj i këtillë. Ju koleg Popovski nuk keni pasur guxim ta mbyllni këtë çështje”, tha Petar Atanasov.

Debati vazhdoi deri në orën 15:00 të ditës së sotme, kur u ndërpre për të vazhduar pas zgjedhjeve lokale./21M edia