Liderët në nderim të veprës së Adem Demaçit

Në ceremoninë komemorative për jetën dhe veprën e njeriut që kaloi 28 vite në burg, liderët shqiptarë vlerësuan lartë figurën e Adem Demaçit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Kryeministri, Ramush Haradinaj, Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli e Kreu i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ishin prezent në mbledhjen komemorative për Adem Demaçin.

Veç tyre, prezent ishin edhe ministra të dy qeverive, deputetë e bashkëveprimtarë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se tha se kombi sot po ndahet fizikisht nga një kolos e bota nga Mendela i Evropës.

“Sot i themi lamtumirë njeriut më emblematik që nga periudha e Skënderbeut”, tha ai.

Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se thënë se Demaçi qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.

“Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Adem Demaçi ishte i vetmi i brezit të tij që kërkoi liri të plotë e jo gjysmake.

“Kur të tjerët u ndalën Bac, ti vazhdove. Ti she i vetëm për të drejtën e plotë, kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, ty të mundonte robëria e pjesshme. Nuk ka si ti të tjerë baca Adem që për të gjallë dhanë kaq shumë.  Ti dhe nga liria jote, për lirinë tonë”, tha ai.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se kur shihte rrudhat e bacës Adem shihte rrugëtimin e shumë të rejave dhe të rinjve që kishin frymëzim idealin e tij.

”Një jetesë si kjo e Adem Demaçit që u shndërrua në frymëzim, një karakter që qëndron si themeli i Pavarësisë i Kosovës nuk shuhet kurrë. Qiriri digjet e shkrihet për tu bërë dritë të tjerëve, jeta e Adem Demaçit i ngjason qiririt që u bënë dritë të tjerëve”, tha ai.

Ndërsa vajza e tij, Abetarja tha se kishte një baba që e ndau me të gjithë shqiptarët.

“Babai i kombit sot u nda vetëm fizikisht, vepra e tij do të jetë e përjetshme”, tha ajo.

Me ceremoni shtetërore, arkivoli i veprimtarit Adem Demaçi është nisur drejt varrezave të Dëshmorëve në Velani, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 12:00.

 

https://kallxo.com/adem-demaci-njeriu-qe-i-dedikoi-jeten-lirise-se-kosoves/