Liderët Kërkojnë Besimin e Qytetarëve, Thonë se Janë Duke Marrë Masa

Liderët e partive politike në koalicionin qeveritar janë takuar jashtë institucioneve dhe zyrave ku punojnë, për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka folur në emër të koalicioni qeverisës.

Ai në mes tjerash tha se kanë përgjegjësi për atë se çka ka ndodhur dje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Jemi takuar krerët e institucioneve të Kosovës. Kemi përgjegjësi për këtë. Ajo çka dua të përçoj si mesazh nga gjithë ne është ky; ka pasur defekte brenda institucioneve tona, të cilat kanë edhe zbrazëti dhe kanë ndodhur gabime siç ka qenë ai i djeshmi”, tha Veseli.

Ai gjithashtu tha se i siguron qytetarët e Kosovës dhe ata që qëndrojnë në Kosovë se gjëra të tilla më nuk të ndodhin.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që qëndrojnë në Kosovë në emër të koalicioni qeverisës, se nuk do të ndodhë kurrë më, asnjëherë, diçka e tillë. Ka qenë gabim i dëmshëm për qytetarët edhe për Republikën e Kosovës”, tha Veseli para mediave.

Veseli ka kërkuar nga qytetarët që të besojnë institucioneve të vendit dhe se ndërmarrje e masave, sipas tij, nuk kanë përfunduar.

“Në të njëjtën kohë jemi duke marrë të gjitha masat që t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje dhe e ripërsëris se nuk do ndodhin këto gjëra kurrë më në Republikën e Kosovës. Qytetarët të kenë besim në shtetin tonë, në institucionet tona dhe kurrë më shumë se tash na duhet besimi i qytetarëve. Jemi duke marrë masa, masat e para i kemi marrë”, tha tutje Veseli.

Ndërsa kryeministri Haradinaj nuk foli para mediave.

I pranishëm ishte edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri.

Sot gjatë ditës, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së Driton Gashi që t’i lirojnë detyrat e tyre përkatëse.