Foto: Kallxo.com

Bahtiri i bën thirrje LDK-së të nënshkruajë marrëveshjen me LVV-në

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të nënshkruajë marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Bahtiri ka thënë se LDK duhet ta kuptojë që nuk mund të ketë kthim prapa 26 dhjetorit, ditën kur u konstituua Kuvendi i Kosovës, dhe u zgjodh kryesia e saj.

Bahtiri ia ka përkujtuar LDK-së, se 27 nga 75 deputetët që e votuan me vullnet të lirë Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit të Kosovës, janë nga LDK.

“Marrëveshja e koalicionit duhet të përfundohet sa më shpejt, por LDK-ja dhe veçanërisht Lutfi Haziri duhet ta kuptojnë se kthim para 26 dhjetorit nuk ka. Nga 75 deputetë që kanë votuar ‘pro’, 27 deputetë të LDK-së e kanë votuar me vullnetin e lirë kryeparlamentarin, andaj kjo pikë tashmë është e përfunduar, sepse nuk mund të bëhen lojëra me veprime të tilla”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Më tej, Bahtiri ka thënë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa duhet të vendosë interesin e qytetarëve përpara interesave partiake, duke e nënshkruar koalicionin qeverisës.

“Nuk kemi kohë për të humbur për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur me votën e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj LDK nuk bën të bëjë bllokadë institucionale, sepse populli ynë mjaft ka vuajtur dhe e presin vendime jo të lehta në të ardhmen e afërt”, ka thënë Bahtiri.

Ai është shprehur optimist, se edhe përkundër zvarritjeve, Qeveria do të votohet nga 75 deputetë, ndër ta edhe deputetët e LDK-së.

“Pavarësisht zvarritjeve Qeveria do të votohet në fund nga të paktën 75 deputetë, ku prej tyre do të jenë 27 të LDK-së”, ka theksuar Bahtiri.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, e ndjekur nga LDK, si partia e dytë me më së shumti vota.

Që kur dolën rezultatet e para grupet punuese të këtyre dy partive janë takuar për të rënë dakord për harmonizimin e plan-programit qeverisës.

Më 27 nëntor të vitit të kaluar janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe që nga atëherë kanë filluar takimet mes krerëve të LDK-së dhe LVV-së, të cilat ende nuk kanë dhënë rezultat.

Ata nuk arritën të dakordohen para datës 26 dhjetor, kur edhe u konstituua Kuvendi dhe u zgjodh kryesia e saj. Zgjedhja e Glauk Konjufcës si kryetar i Kuvendit, ka prodhuar një fazë të re të dialogut mes këtyre dy partive për një koalicion qeverisës.