Abdixhiku: Nga sot, mbështetësit s’guxojmë t'i dëshpërojmë, e skeptikët duhet t'i bindim ndryshe

Pas arritjes së marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së kanë ardhur edhe reagimet e para.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo marrëveshje u arrit sepse ky ishte vullneti qytetar.

“Bëmë marrëveshje sepse idetë që na bashkojnë janë më të shumta se sa ato që na ndajnë. E partnerët e matur e serioz, në kohë të vështira, zgjedhin gjuhën e rrugën bashkë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Më tej, Abdixhiku ka shkruar se të dy palët e duan një Kosovë të jetueshme, për vete, për fëmijët e për prindërit.

“Të dy palët po i japim Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot – brenda e jashtë”, ka potencuar deputeti i LDK-së.

Po ashtu, Abdixhiku ka shkuar se puna e vërtetë do të fillojë tani për të mos e dëshpëruar asnjë mbështetës dhe për të bindur skeptikët.

“Kemi humbur kohë mjaft, por kemi ide të qarta përpara. Puna e vërtetë fillon tash. Nga sot, asnjërin mbështetës s’guxojmë ta dëshpërojmë, e secilin skeptik duhet ta bindim ndryshe. Kosova është e të gjithëve”, ka përfunduar Abdixhiku.

Marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së është arritur sot, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme më 6 tetor 2019.