Liqeni i Ujmanit. Foto: Kallxo.com

Gjini: Nëse Serbia mbetet palë vendimmarrëse për Ujmanin, AAK rishikon qëndrimin në qeveri

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini pas mbledhjes së strukturave të partisë ka thënë se nëse Serbia mbetet palë në vendimmarrje për liqenin e Ujmanit atëherë AAK do të rishikojë qëndrimin e saj në qeverinë Hoti.

“Nëse Serbia mbetet palë në vendimmarrje bashkë me ne për Ujmanin, atëherë AAK-ja menjëherë e rishikon qëndrimin e vet në Qeveri edhe nuk do ta mbështetë një marrëveshje të tillë”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, Aleanca pranon një marrëveshje me SHBA-të, por jo tripalëshe ku përfshihet edhe Serbia.

“Kryetari Haradinaj ka insistuar se për Ujmanin mund të kemi marrëveshje bilaterale me SHBA-në, por nuk mund të kemi marrëveshje tripalëshe ashtu që për çfarëdo vendimi për Ujmanin ne ta pyesim edhe Serbinë. Kjo pikë nuk mundet me mbet ashtu siç është”, tha ai.

Të premtën, në ditën kur edhe u nënshkruar marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj kërcënoi me largim nga koalicioni nëse liqeni i Ujmanit është pjesë e një marrëveshjeje trilaterale ku Serbia është palë me Kosovën.
Mirëpo dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, pjesë e së cilës është edhe pika për Ujmanin, ish-kryeministri Haradinaj tha se ‘Kosova ka bërëv ‘hap të madhë përpara me marrëveshjen në Ëashington’.
Ndërsa dje Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka zbuluar detaje të ditës 3 dhe 4 shtator kur delegacioni i Kosovës po negocionte marrëveshjen me Serbinë në Uashington
.Mustafa ka thënë se pika për Ujmanin në marrëveshjen e nënshkruar nuk u ndryshua, ndërsa ka treguar për bisedimet që ka pasur me Haradinajn për këtë pikë.
“Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojmë edhe pasdite, me kohen tone lokale”, ka shkruar Mustafa.