Foto: KALLXO.com

LDK thotë se ekipi negociator nuk ka legjitimitet, kërkojnë zgjedhje

Zëdhënësi i Lidhjes së Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në një konferencë për media tha sot se dialogun Kosovë-Serbi nuk mund ta udhëheqin personat apo partitë që nuk i kanë shumicën e votave në Kuvend.

“LDK ka qenë është dhe do të jetë për dialog me shtet fqinje, siç ka qenë për dialog me Maqedoninë, Malin e Zi dhe me Serbinë, por LDK është për të mbrojtur Kosovën me kufijtë e shpallur me 17 shkurt 2008. LDK është për një dialog ku Serbia e njeh Kosovën si të pavarur e jo ku Serbia e vendos mbi shtetësinë e Kosovës, ku Serbia ja cakton kufijtë. Mbi të gjitha dialogun nuk mund ta udhëheqin dialogun, partitë, grupe apo persona që nuk e kanë mbështetjen e shumicës së votave në Kuvend, dialogun dhe të gjitha proceset duhet të udhëhiqen nga institucionet kushtetuese”, tha ai.

Mustafa tha se qeveria po e bartë përgjegjësinë e negociatave në çdo nivel.

“Kjo qeveri po e shëtit përgjegjësinë e negociatave nga kryeministri tek presidenti dhe tek i ashtuquajturi grup negociator  cili s’ka bazë kushtetuese edhe nuk ka as gjysmën e votave në Kuvend. Ky koalicion është në panik sepse e  kanë kuptuar qytetarët e Kosovës, përderisa na bëjnë thirrje për unitet shohin votën e tyre të tkurrur e nga paniku mundohen t’i marrin votën njëri-tjetrit sepse jashtë grupit të tyre, qytetarët e kanë humbur besimin tek ta”, tha ai.

Zëdhënësi i LDK-së po ashtu akuzoi koalicionin qeverisës për sulmet ndaj LDK-së.

“Për të mbuluar dështimet e përditshme dhe për të kaluar panikun po mendojnë të na sulmojnë neve LDK-në, po na sulmojnë sepse nuk e kanë shumicën në Kuvend, nuk kanë legjitimet për të qeverisur. Kanë dështuar në Interpol, në liberalizim, në diplomaci të jashtme si dhe u ka dalë veriu i vendit tërësisht nga kontrolli dhe po e bëjnë gati t’ia falin Serbisë”, shtoi Mustafa.

Ndryshe, ekipi negociator i Kosovës ka zhvilluar sot takimin e parë me Bashkimin Evropian.

Kryesuesit e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti janë deklaruar pas takimit që kanë pasur me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë – Serbi, Federika Mogherinin.

Shpend Ahmeti ka deklaruar se takimet në Bruksel do të bëhen në nivel të shteteve.

https://kallxo.com/kryesuesit-e-ekipit-negociator-ia-beme-te-qarte-be-se-se-kemi-ekip-e-jo-individe-per-dialogun/