LDK. Foto: Ismet Beqiri/Facebook

LDK nuk e di nëse Thaçi ka biseduar me zyrtarë të saj për dialogun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë deklaroi se ka biseduar me përfaqësues të LDK-së për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Presidenti në një intervistë për televizionin KLAN në Shqipëri tha se i gjithë spektri politik dhe shoqëror në Kosovë e përkrahë dialogun me Serbinë.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj, zotin Limaj, Pacollin. Sot jam takuar edhe me përfaqësues të LDK-së. Janë inkurajues që të lëvizim përpara. Jam takuar edhe me përfaqësues të Akademisë së Shkencave. Debati vetëm sa po zgjerohet, po thellohet dhe po shkon në një nivel edhe më të lartë”, deklaroi Thaçi.

Por në LDK nuk kanë informacione zyrtare se anëtarë të këtij subjekti kanë folur me Thaçin.

Nënkryetari i këtij subjekti politik, Agim Veliu tha për KALLXO.com se nuk ka informacione për këtë çështje.

“Nuk e di, me mua nuk ka biseduar. Nuk kam informacion që ka biseduar me LDK-në. LDK-ja e ka Kryesinë e ka kryetarin, nuk e di që ka biseduar më dikë”, tha Veliu.

Lidhja Demokratike e Kosovës, është shprehur kundër iniciativës së Thaçit për pjesëmarrje në dialogun me Serbinë dhe për shtruarjen në tavolinë çështjen e korrigjimit të kufijve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka akuzuar Thaçin se sa ka qenë kryeministër e ka sjellë “Republikën Srpska” në Kosovë duke nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.