Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kuvendit i grumbullohen punët, 75 pika të pashqyrtuara

Kuvendi i Republikës së Kosovës është para bllokimit të tij për shkak të grumbullimit të shumë pikave të rendit të ditës të cilat nuk janë shqyrtuar  deri më tash. Opozita për këtë gjë po fajëson Qeverinë e Kosovës ndërsa pozita po kritikon mungesën e deputetëve kur votohen këto pika të rendit të ditës .

Kuvendi i Kosovës aktualisht ka 75 pika të rendit të ditës, të cilat duhet të shqyrtohen. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se deputetët nuk po rrinë për votim të pikave të rendit të ditës për shkak se po lodhen.

“Në momentin që në seancën e shoh që nuk janë 61 deputet, është kot ta hedhin në  votim ndonjë pikë. Shqetësimi im është që edhe sot pas orës 16:00 nuk kemi me e gjet asnjë deputet në sallë”, tha Veseli.

E ndryshe nga pozita, deputetët e opozitës  në seancën e sotme kanë pasur kritika për mos ardhjen e kryeministrit dhe ministrave në seancat parlamentare, për tu përgjigjur në interpelanca.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti tha se “bllokimi” i Kuvendit nuk është duke u bërë nga deputetët opozitarë.

“Të jemi të qartë që nuk janë shty këto pika për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës por për shkak të mos ardhjes së qeverisë këtu. Dje është caktuar përmes e-mail seanca. Kjo është përgjegjësi e Kuvendit dhe papërgjegjësi e qeverisë”, tha Hoti.

Edhe deputeti Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje e drejtoi përgjegjësin për dështim të Kuvendit, tek kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kryeministri Ramush Haradinaj më përpara shkon me e pa qysh po ndërtohet një rrugë sesa që vjen në Kuvend. Ai e ka keqkuptuar punën e kryeministrit, po mendon që krejt punët e ministrave me i bo. Po ashtu ai e ka keqkuptuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërsa deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se janë grumbulluar tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të mungesë së tij në Kuvend.

“ Interpelancat që një kohë të gjatë në rend të ditës, në fakt ato nuk po mbahen se s’po vjen kryeministri dhe jo deputetët. Janë tri interpelanca deri më tash. Mos prezenca e kryeministrit dhe shtyrja e interpelancës e bënë gjendjen kështu”, tha Sejdiu.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se situata e Kuvendit të Kosovës nuk është bardh e zi.

“ Ne të gjithë e dimë se qysh e kemi situatën . Nuk e kemi situatën bardh e zi, prej 75 pikave, 5 pika i ka kryeministri. Por nuk do me thanë që pjese tjetër që na takon mos ta bëjmë. Deri tash nëse i kishim kursyer qytetarët prej ligjërata i kishim votuar diku pesë pika”,  tha Krasniqi.

E deputeti i NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi propozoi që të mbahen seanca çdo ditë deri në përfundimin e gjitha pikave të rendit të ditës.

“Unë kam një propozim që të kemi seanca të vazhdueshme  deri sa të përfundojnë pikat e rendit të ditës”, tha Sherifi.

Ky propozim, u duk brilant nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili kërkoi nga deputetët e Kosovës të ketë një thirrje për të caktuar seanca për këtë javë.  Por kjo kërkesë doli të jetë e pamundur.

“Proceduralisht seanca nuk mund të vendos as nuk ka të drejtë të autorizojë askënd  që të thirr seancë të re. Por atë e vendos kryesia ose kryetari sepse Kushtetuta ja lejon. Nëse është kaq e rëndësishme mund ta bëni ju por jo deputetët”, tha deputeti i LDK-së, Kujtim Shala.

Pas gjithë këtij debati, kryetari i Kuvendit të Kosovës, vazhdoi me votim dhe shqyrtim të disa pikave të rendit të ditës.