Kush do të shpallet kampion i Kosovës në futboll, Prishtina apo Drita?

Këtë të diel zhvillohet ndeshja e fundit e Vala SuperLigës së Kosovës ndërmjet F.C Prishtina dhe K.F Drita.

Kjo ndeshje do të përcaktojë edhe fituesin e titullit për sezonin 2017/2018 në superligën e futbollit vendor.

K.F Drita e Gjilanit momentalisht është në vend të parë me 3 pikë më shumë sesa rivali direkt për titull, F.C Prishtina.

Drita shpallet kampion me fitore, barazim apo edhe nëse humb me një gol diferencë, ndërsa Prishtinës i duhet fitorja me dy e më shumë gola diferencë që të shpallet kampion i Kosovës në futboll.

Kjo matematikë është për shkak se në dy ndeshjet e para ndërmjet këtyre dy klubeve, Drita ka një fitore si mysafir dhe një barazim si vendas.

Drita ka shënuar fitore si mysafire e Prishtinës me rezultat 0:1, ndërsa ndeshja e dytë në Gjilan ka përfunduar 0:0. Ndërsa ndeshjen e tretë, Prishtina llogaritet si vendas dhe për shkak të humbjes së parë si vendase, tani i duhen dy e më shumë gola që të shpallet kampion.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në qytetin e Pejës, meqë përfundimi i renovimit të stadiumit të kryeqytetit ende nuk ka përfunduar.

KALLXO.com ka përgatitur një sondazh për këtë ndeshje që ka marrë vëmendjen e shumë njerëzve në Kosovë.