KALLXO360: Kunata e Sekiraqës Policia na Tmerroi

Gashi që është gruaja e vëllait të Enver Sekiraqës përshkroi ditën e 30 gushtit 2007 kur policia erdhi te Sekiraqët për bastisje dhe kërkim të Enver Sekiraqës.

Dëshmitarja Gashi tha se policia atë ditë nuk e gjeti Enver Sekiraqën në shtëpi, por sipas saj i tmerroi të tjerët që gjeti aty.

Dëshmitarja tha se ende e mban mend tmerrin që kishte përjetuar atë ditë, ndërsa tregoi edhe fjalët që policët i kishin thënë nënës së Enver Sekiraqës.

“Do të mbetesh me një djalë, sepse kemi me ta vra djalin,” tha dëshmitarja se dëgjoi policët t’i thonë vjehrrës së saj, duke aluduar në vrasje të Enver Sekiraqës.

Dëshmitarja Gashi tha se vetëm nga policia kuptuan se atë ditë ishte vrarë Triumf Riza.

Ajo tregoi edhe si kishte shkuar ajo ditë para ardhjes së policisë. Ajo tha se më 30 gusht 2007, ditën kur u vra Triumf Riza kishte ngrënë drekë me vjehrrin e saj, ndërsa vjehrra në mëngjes kishte shkuar te të vetët.

Dëshmitarja tha se vjehrra e saj dhe nëna e Enver Sekiraqës ishte kthyer nga shtëpia e vëllait të saj, pasi atje kishte hyrë policia.

Një rrëfim të ngjashëm me atë të Hasije Gashit e treguan në gjykatë edhe prindërit e Enver Sekiraqës që dëshmuan disa ditë më parë.

Në gjykimin e Sekiraqës është duke dëshmuar edhe Arben Berisha që nuk është i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, por një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër.