Kujtohet dramaturgu Petrit Imami

Organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, është mbajtur sot një mbledhje komemorative për të kujtuar dramaturgun Petrit Imami, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Beograd të Serbisë.

Me këtë rast është thënë se Imami ka qenë një prej studiuesve dhe profesorëve të njohur të skenarit dhe të dramaturgjisë.

Drejtori i TKK-së, Agim Sopi ka potencuar se Imami ishte një erudit dhe një profesor i njohur i dramaturgjisë.

Sopi ka kujtuar bashkëpunimet me Imamin duke e cilësuar atë si një prej njohësve të thellë të dramaturgjisë, konkretisht strukturën e skenarit.

“Imami ishte një filigran i zanatit të vet. Ai ka ditur të vë zbukurimet kruciale që i kanë munguar veprës, sipas tij”, ka thënë Sopi.

Ndërkaq, Gani Mehmetaj, drejtor i “KosovaFilmit”, ka pohuar se si autori i skenarëve të filmave: “Era dhe Lisi” e të realizuara nga “KosovaFilmi” e “Përroi Vërshues”, emri i Petrit Imamit është i lidhur me “Kosovafilmin” dhe kinematografinë e Kosovës.

“Imami e zotëronte e dramaturgjinë dhe kishte aftësi të portretizonte situatat”, ka thënë Mehmetaj.

Petrit Imami u lind në Prizren më 1945, nga ku shkoi më pas së bashku me familje u shpërngul për në Beograd. U shkollua në Beograd dhe më 1974 diplomoi në degën e Dramaturgjisë në Akademinë për Teatër, Film, Radio dhe TV.

Që nga viti 1978,  ai ishte i angazhuar si bashkëpunëtor profesional nga Akademia në Beograd e për skenar filmi e televizioni. Ndërkaq Docent është zgjedhur më 1981, Profesor inordinar më 1986, kurse Profesor i rregullt më 1996.

Ka punuar edhe si dramaturg me korrespodencë në televizionin e Prishtinës në vitet’70.

Ka qenë autor i serialit televiziv në gjuhën shqipe “Era dhe Lisi” më 1979 dhe i filmit me të njëjtin titull të metrazhit të gjatë në “Kosovafilm” dhe “Përroi vërshues”.

Ka shkrime të ndryshme kritike për filmin dhe ese në mediat e Prishtinës. Ndërsa ka marrë edhe çmimin Arena e Artë për skenar në festivalin e filmit në Pulë më 1979.

Imami është autori i disa teksteve për fushën e filmin, ndërsa ka botuar edhe librin për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.

Imami vdiq dy ditë më parë, më 29 maj 2019 në Beograd në Serbi.