Pamje nga provat e shfaqjes “Ditë vere’. Foto: KALLXO.com.

Shfaqja ‘Ditë vere’ jepet të dielën premierë në qiellin e hapur në Pallatin e Rinisë - VIDEO

Teatri Kombëtar i Kosovës planifikon të shfaqë këtë të diel premierën e dramës “Ditë vere” të Sllavomir Mrozhek me regji të Kaltrim Balaj, në një ambient të hapur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Për herë të parë aktorët e këtij teatri sprovojnë veten në një premierë në qiell të hapur. Megjithatë, aktrimi jashtë nuk duket të jetë punë e lehtë për aktorët e shfaqjes.

Skena e improvizuar e ambient i hapur sfidojnë në çdo hap ekipin e shfaqjes. Por, stafi i shfaqjes ka thënë për KALLXO.com se me puna e bërë, gjithçka pritet të shkojë mirë në ditën e premierës që jepet të dielën më 15 tetor 2023, në një ambient të hapur në Pallatin e Rinisë.

Kaltrim Balaj, regjisori i shfaqjes, ka thënë për KALLXO.com se vështirësitë e problemet janë prezente gjithmonë kur del jashtë shtëpisë (teatri), por me mbështetje e TKK-së dhe përkushtimin e stafit vështirësi bëhen më të lehta.

“Shfaqja është rrumbullakosura, shfaqja ka ardhur pikërisht ashtu siç është nisur si koncept edhe si ide, si shfaqje, jam shumë i kënaqur deri tash me zgjidhjet deri ku kanë ardhur, me lojën e aktorëve, me angazhimin edhe të produksionit, d.m.th., më është mundësuar gjithçka që me arritur aty ku kam dashur me arrijmë. Tani, normalisht i mbetet publikut me pa, me analizua, me vlerësua, se puna që e kemi bë ai vlen a jo”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërsa aktorja Era Balaj, që luan një nga role kryesore në shfaqje ka thënë për KALLXO.com, se ndjehet mirë të luajë në një shfaqje të TKK-së përkrah aktorëve me përvoje të këtij teatri.

“Së pari është një nderi shumë i madh që sa po kam përfunduar fakultetin me pas mundësi me luajtur në Teatrin Kombëtar në një ndër rolet kryesore, ndërsa sa kam arrit me vënë në pah atë që ka dashtë regjisori, besoj se kemi rritur me gjetur një mirëkuptim dhe atë çfarë dytë e kemi pa të arsyeshme me nxjerrë prej karakterit besoj që ia kemi arritur”.

Kurse Naim Berisha, aktor thotë se aktrimi në ambiente të hapura është mjaft sfidues për aktorët.

“Sa i takon inskenimit të një shfaqje prej skenës konvencionale të teatrit në një skenë të ambientale, siç jemi këtu në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në ambientet e këtij pallati, është më të vërtetët sfidë jashtëzakonisht e madhe, d.m.th., kur të realizosh role në këto ambiente e kupton se sa më lehtë realizohet një shfaqja apo roli në skenën konvencionale, brenda në teatër, sepse këtu aktori duhet t’i përshtatet rrethanave të cilat I kërkohen skena ambientale”- ka thënë Berisha

Shfaqja “Ditë vere” do të jepet premierë më 15 tetor 2023, në ambient të hapur në Pallatin e Rinisë.

Në shfaqje luajnë: Andi Bajgora, Art Pasha, Era Balaj, Lumnije Sopi, Veton Osmani, Adhurim Demi, Naim Berisha.

Nga qershori i 2022-të TKK është zhvendosur në hapësira e Pallatit të Rinisë, pasi objekti i TKK-së është futur në një proces renovimi. Por, ende nuk ka një datë të saktë se kur objekti do të kthehet në funksion.

Pamje nga provat e shfaqjes “Ditë vere’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga provat e shfaqjes “Ditë vere’. Foto: KALLXO.com.