Shfaqja ‘1984’ jepet të shtunën premierë në Teatrin Kombëtar

Brenda një muaji, Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) do të shfaqë tri premiera dramatike. E para do të shfaqet të shtunën, më 30 shtator 2023, në ora 20:00, në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i Përgjithshëm i TKK-së ka thënë në një prononcim për KALLXO.com, se stafi i TKK-së është duke punuar paralelisht në tri produksione të mëdha, të cilat kanë filluar të realizohen më 20, 21 dhe 28 gusht 2023.

Premiera e parë për këtë periudhë, sipas tij do të jepet më 30 shtator 2023, e dyta më 12 tetor, ndërsa e treta më 18 tetor 2023..

“Premiera e shfaqjes ‘1984’ e bazuar në veprën e George Orwellit vjen e adaptuar për skenë dhe në regjinë e Igor Mendjisky nga Parisi. Ky është një prej projekteve më të mëdha te TKK-së për një kohë të gjatë”- ka thënë ai.

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, Ylber Bardhi.

Ndërkaq, premiera dytë për këtë vit, ka thënë drejtori Sheremeti do të jetë e veçantë. Ai ka thënë se shfaqje “The Best European Show” është bashkëprodhim i TKK-së me disa prej teatrove më të njohura europiane. Premiera e kësaj shfaqje sipas tij do të jepet më 13 tetor 2023.

“Premiera e dyte për këtë periudhë ‘The Best European Show’ e  shkruar nga Haris Pashoviq dhe Marko Bratush, një bashkëprodhim i TKK-së me Teatrin Kombëtar Slloven të Nova Gorricës, Teatro Due Parma – Itali, JK Teatro Opole – Poloni, Teatru Malta – Maltë, do të shfaqet më  13 tetor 2023”- ka thënë ai.

Kurse, më 18 tetor 2023, TKK do të shfaq premierën e shfaqjes veprës “Ditë vere” të Mrozhekut në regjinë e Kaltërim Balaj.