Kryptovalutat Diskutohen në Kuvend

Rritja e trendit të investimit të kosovarëve në kryptovaluta e ka shqetësuar një deputet të Kuvendit të Kosovës.

Korab Sejdiu, Deputet i Pavarur në Kuvendin e Kosovës ka parashtruar një pyetje parlamentare ndaj Ministrit të Financave, Bedri Hamza lidhur me kryptovalutat.

Ai përmes pyetjes me shkrim që e ka publikuar edhe në ‘Facebook’, kërkon të dijë planin e veprimit të ministrit lidhur me çështjen e kryptovalutave pasi sipas Sejdiut ato mund të kenë efekt shkatërrues në ekonominë e qytetarëve.

Kryptovalutat janë mjete digjitale të pagesës që përdor kriptografinë për të siguruar transaksione dhe kontroll mbi gjenerimin e njësive të reja të monedhës. Bitcoin është kriptovaluta më e famshme,ndërsa përdorimi i tij është shtrirë në dekadën e fundit.

“Z.Ministër, pasur parasysh se disa analistë me renome ndërkombëtare kanë paralajmëruar lidhur me rrezikun e investimit në kryptovaluta dhe kanë vlerësuar kryptovalutat si fluska apo skema piramidale që do të përfundojnë me debakël për investitorët, si dhe pasur parasysh pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve tanë në këto investime, a ka Ministria e Financave ndonjë plan konkret për të adresuar kryptovalutat dhe për të parandaluar pasojat potencialisht shkatërruese për ekononinë tonë delikate?”, pyeti Sejdiu.

Ai po ashtu konsideron se arsyeja e përfshirjes kaq të madhe të kosovarëve në tregun e kryptovalutave është papunësia e madhe në vend.

“Në vendet e varfura dhe të pashpresa si vendi i ynë, qytetarët shpesh bëhen viktimë e skemave mashtruese “bëhu-i-pasur-shpejtë”. Shumë analistë me renome paralajmërojnë se kriptovalutat janë një skemë e tillë. Një numër i madh i qytetarëve tanë po investojnë në kriptovaluta, duke rrezikuar edhe asetet me elementare personale”, shkroi ai në Facebook

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar lidhur me përdorimin e kryptovalutave në Kosovë.

Në Kërkim të Arit: Si iu Bashkuan Kosovarët Garës për Kripto-Valuta?