Kryesindikalisti: Kontratat për shitje të produkteve, po e zhvatin e buxhetin e Telekomit  

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj ka thënë se kontratat për shitje të produkteve për kompanitë e tjera po e zhvatin buxhetin e Telekomit.

“Neve kompanitë që shesin për neve bash kurrgjë nuk na duhen, këto punë i kemi kry vet, partner kryesor e kemi pas Postën e Kosovës, këto kompani jon bo veç hajt t’ja japin 10, 15, 20%. Nuk duhen kurgjë, janë kompani që po na zhvatin buxhetin, kanali i punësimit të punëtorëve ka qenë shitja” tha ai.

Kryetari i Komisionit hetimor parlamentar, Visar Ymeri kërkoi më shumë sqarime për kontratat e tjera.

Armend Zemaj, anëtar i Komisionit nga LDK, kërkoi që të dijë më shumë për kontratat e tjera të dëmshme për Telekomin.

“Më intereson të dijë edhe për kontratat e tjera përveç asaj të Z-Mobile, pashë që ju keni dhënë shuma marramendëse për një kompani e quajtur “Telkos” dhe një kontratë tjetër të quajtur “Solarium” si dhe kontrata e quajtur “4G” pyeti Zemaj.

Lami Balaj në përgjigjen e tij për deputetin Zemaj tha se ka kontrata për të cilat sindikata nuk ka informacione.

“Ka kontrata që na nuk i dimë hiq, në Telekom prej vitit 2008 më përpara hin te kryeministri e presidenti sesa në katin e katërt, aty bëhen krejt punët e këqija”, tha ai.

Zemaj kërkoi më shumë i informacione për numrin e punëtorëve në Telekom. Ndërsa Balaj tha se që nga ndarja nga Posta e Kosovës kanë gjithsej 2500 punëtorë.

Albulena Haxhiu, anëtare e Komisionit nga VV kërkoi që të dijë se a është pro privatizimit Sindikata e Telekomit të Kosovës si dhe çfarë ka ndodhur me lëndët e dërguara tek krimet ekonomike.

Në përgjigjen e tij, Lami Balaj tha se Sindikata është kundër privatizimit.

“Unë i kam dërguar në krime ekonomike dhe njëherë jam ftuar i kam thënë që jam i gatshëm edhe prokurorisë së shtetit i kemi bërë thirrje disa herë nuk më ka thirr më askush. Ne si Sindikatë jemi kundër privatizimit, dhe mendoj që gjithë shkatërrimi është bë me qëllim që të ulet vlera e Telekomit të Kosovës”, tha Balaj.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha që prapa aferës ‘sim to sim’ janë grupe kriminale që kanë përfituar nga degradimi i Telekomit.

https://kallxo.com/kryesindikalisti-parlamenti-i-kaluar-i-ka-falur-12-milione-euro-kompanise-se-blerim-devollit/

.