Një grua në qendrën përkujtimore në Srebrenicë - Foto: Anadolu

Kryeprokurori i Hagës dënon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Kryeprokurori në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Serge Brammertz, dënoi lavdërimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e krimeve të luftës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurori Serge Brammertz tha në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se vazhdimi i lartësimit të kriminelëve të luftës dhe mohimi i krimeve në ish-Jugosllavi dhe se bashkëpunimi gjyqësor në rastet e krimeve të luftës midis vendeve të rajonit është në nivelin më të ulët në vite.

“Hapat pozitivë janë dëmtuar nga komentet e papërgjegjshme nga zyrtarë të tjerë që mohojnë atë që është përcaktuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nga gjykatat ndërkombëtare dhe portretizojnë si heronj burra që kanë kryer shkeljet më serioze të së drejtës ndërkombëtare,” tha Brammertz, sipas një njoftimi për shtyp të Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Ai gjithashtu dënoi mohimin e krimeve të luftës, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995 në të cilin më shumë se 7,000 boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Ka pasur mohime të përsëritura se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid dhe rehabilitime publike të kriminelëve të dënuar luftës në Serbi në vitet e fundit.

Kryetari i gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në Hagë, Theodor Meron, kritikoi kryeministren serbe Ana Bërnabiq muajin e kaluar për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Pasi Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiq erdhi në pushtet në vitin 2012, autoritetet serbe kanë mirëpritur kriminelët e luftës të liruar dhe i kanë ndihmuar ata të bëhen pjesëmarrës aktivë në jetën publike dhe politike.

Ministria serbe e Mbrojtjes botoi një libër në tetor nga ish-shefi i shtabit i Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq, i cili aktualisht po vuan një dënim me burg për krime lufte në Kosovë.

Ndërkohë, dy ministra në Kroacinë fqinje – ministri i Veteranëve të Luftës Toma Medved dhe ministri i Mbrojtjes Damir Krsticeviç – përkrahën publikisht dy kriminelë kroatë të dënuar, Tomislav Mercep dhe Mirko Noraç.

Në deklaratën e tij në Këshillin e Sigurimit, Brammertz gjithashtu “ngriti domosdoshmërinë humanitare për të gjetur dhe identifikuar personat që ende janë zhdukur si rezultat i konflikteve në ish-Jugosllavi”, sipas Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Ai shtoi se qeveritë e rajonit të Ballkanit u zotuan të rrisin aktivitetet dhe bashkëpunimin e tyre për personat e zhdukur në një samit në Londër në korrik dhe thanë se do të shmangnin politizimin e çështjes.

Megjithatë, në samit, krerët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë nuk nënshkruan një deklaratë për themelimin e komisionit KOMRA për gjetjen e fakteve të kohës së luftës, pavarësisht nga premtimet e mëparshme për ta bërë këtë.