Raporti i fundit i OKB-së për Ukrainën: Vrasje, tortura dhe përdhunime, por jo gjenocid

Një raport i Kombeve të Bashkuara zbuloi se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë, por nuk i klasifikoi veprimet e saj si ‘gjenocid’.

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së për Ukrainën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut publikoi raportin e tij gjithëpërfshirës të enjten, 16 mars.

Raporti përmend incidente të vrasjeve, torturave dhe përdhunimeve të civilëve, por autorët thanë se nuk kishte prova të drejtpërdrejta se këto ishin të motivuara nga qëllimi gjenocidal dhe thanë se kjo çështje kërkon hetim të mëtejshëm.

“Nuk kemi gjetur prova se ka pasur gjenocid brenda Ukrainës”, ka deklaruar kreu i ekipit hetimor të OKB-së, Erik Møse. “Duke e thënë një gjë të tillë, ne, natyrisht, po i ndjekim të gjitha llojet e provave brenda kësaj zone, dhe kemi vënë në dukje se ka disa aspekte që mund të ngrenë pyetje në lidhje me atë krim (gjenocid). Për shembull, disa deklarata në mediat ruse që targetojnë grupe”.

Komisioni i lartcekur ka thënë gjithashtu se transferimi i paligjshëm i fëmijëve nga Ukraina nga autoritetet ruse përbënte ” krim lufte”.

“Komisioni e ka hetuar situatën e transferimeve dhe deportimeve të detyruara të fëmijëve brenda Ukrainës dhe Federatës Ruse”, shpjegoi Jasminka Džumhur, Komisionerja e Hetimit të OKB-së për Ukrainën. “Shifrat e ofruara nga palët ndryshojnë shumë. Ajo identifikoi disa situata në të cilat transferime dhe dëbime të tilla ndodhën në incidente të shqyrtuara nga komisioni”.

Komisioni zbuloi gjithashtu se valët e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore të Ukrainës nga Rusia mund të përbëjnë gjithashtu krime kundër njerëzimit.

Raporti është niveli më i lartë i hetimit ndërkombëtar në luftë deri më tani.

Tre anëtarët e komisionit janë ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut dhe stafi i tij merr mbështetje dhe financim nga këshilli dhe zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala